Belgjikë-Panama / Kuriozitetet dhe formacionet, “Njerëzit e kanalit” përballen me “Djajtë e kuq”

E kishit menduar ndonjëherë Belgjikën si pretendente për të fituar Botërorin? Mësojuni me idenë, pasi kjo skuadër nis rrugëtimin e saj sot kundër Panamasë me dëshirën për të konfirmuar pritshmërinë që kanë të gjithë për këtë grup lojtarësh. Në fakt, me emra si Mertens, Hazard e De Bryjn e me luksin të lësh jashtë Naingolan, nuk ka si të jetë ndryshe. Ndërsa rivalët e tyre, debutues në turne, si eksperiencë të parë do të mundohen vetëm të evitojnë goleadat e rënda.

Belgjika
Trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez, çuditërisht është nën trysni në këtë periudhë, ndonëse ka humbur vetëm një ndeshje që kur filloi rrugëtimin e tij në vitin 2016. Ai ndërtoi një skuadër që siguroi 9 fitore e 1 barazim në 10 ndeshjet në grup, duke dhuruar futboll sulmues dhe argëtues, me 43 gola të shënuar, si askush tjetër në Europë. Problemi është se tani të gjithë kërkojnë trofeun.

Martinez ka cilësi të jashtëzakonshme në dispozicion, duke filluar nga Kurtua në portë, për të mbaruar me Lukaku në sulm. Ky i fundit ishte në formë të shkëlqyer gjatë kualifikueseve, me 11 gola në 10 ndeshje, ndërsa Eden Hazard ishte gjithashtu vendimtar me 6 gola e 5 asiste.

Ata vijnë drejt turneut si një nga skuadrat më në formë, pasi kanë fituat 4 nga 6 miqësoret, duke pësuar gol vetëm në 2 prej tyre. Miqësorja e fundit ishte suksesi 4-1 ndaj Kosta Rikës, që vjen nga i njëjti grup në të cilin siguroi kualifikimin edhe Panamaja.

Panamaja
Shumëkush e cilëson këtë skuadrën më të dobët të turneut sepse është debutuese dhe nuk ka shumë emra të njohur në përbërje. Edhe në Panama, të gjithë cilësojnë si armën më të fortë trajnerin Hernan Gomez, i cili ka drejtuar Kolumbinë dhe Ekuadorin në fazën finale të turneut në edicionet 1998 dhe 2002.

“Los Canaleros” (Njerëzit e kanalit), siguruan biletën për në Rusi në mënyrë dramatike, duke u kualifikuar para SHBA-së. U desh një gol në minutën e 87 përballë Kosta Rikës që të linte jashtë amerikanët të cilët u mposhtën nga Trinidad Tobago.

Që atëherë, debutuesit e Botërorit kanë luajtur në 8 miqësore, duke fituar vetëm 2 prej tyre. Problemi më i madh kanë qenë golat, pasi ata kanë shënuar vetëm 1 të tillë në 5 ndeshjet e fundit.

Për më tepër, ekipi ka humbur për dëmtim yllin Alberto Kuintero, ndërsa Gomez ftoi në skuadër mesfushorin e Genk, Rikardo Avila. Pa Kuinteron, çdo rezultat tjetër përveç një humbje të rëndë ndaj Belgjikës do të cilësohej një arritje.

FORMACIONET E MUNDSHME

Protagonistët

Vincent Kompani mund të mungojë për ndeshjen e hapjes, nëse nuk rikuperon në kohë. Edhe Miçi Batshuai ka probleme të vogla dëmtimesh dhe rrezikon të mbetet jashtë.

Martinez kërkon të marrë maksimumin nga talenti që ka përpara. Kësisoj, pritni sot në fushë një treshe sulmi të përbërë nga Lukaku që vepron para Hazard e Mertens.

Nga ana tjetër, Panamaja pret sinjale pozitive nga qendërmbrojtësi Roman Torres, i cili ka qenë i dëmtuar, kurse Avila mund të ketë një rol thelbësor në mesfushë. Në sulm, Gabriel Torres dhe Blas Perez rivalizojnë për një vend në rreshtim nga minuta e parë. /vipsport.al/