Zyrtare / UEFA rrëzon planin financiar të Milanit, gati dënimet drastike

Telashe të mëdha për Milanin. UEFA ka vendosur sot të rrëzojë planin e rifinancimit që i kishin paraqitur drejtuesit kuqezinj, duke e dërguar këtë skuadër para komisioneve të saj për të marrë masa administrative si pasojë e shkeljeve të rregullave të Fair Play Financiar.

Klubi kuqezi kishte paraqitur një plan katërvjeçar, nëpërmjet të cilit mundohej të shpjegonte se shpenzimet e larta të bëra në verën e kaluar si dhe ato që pret të bëjë në verë, do të financohen nga të ardhurat që do të sigurohen në vitet në vijim. Por UEFA nuk e ka cilësuar të besueshëm këtë plan dhe e ka refuzuar, duke denoncuar tashmë kuqezinjtë si shkelës të rregulloreve.

“Zyra e hetimit financiar është e opinionit se përveç faktorëve të tjerë, mbeten pasiguri rreth rifinancimit të kredisë që duhej të paguhet në tetor 2018”, shkruhet ndër të tjera në njoftimin zyrtar të UEFA-s.

Tashëm pritet të mësohet masa ndëshkimore ndaj Milanit, e cila parashikohet të jetë një gjobë e majme si dhe pamundësia për të aktivizuar disa nga yjet e skuadrës në aktivitetet europiane. /vipsport.al/