Zviceranët nuk na duan, Kombëtarja degdiset te “komshinjtë”

Grumbullimi i Kombëtares shqiptare të futbollit në Zvicër këtë radhë duket se nuk ka qenë një nga idetë më gjeniale të mundshme të trajnerit Panuçi dhe stafit të FSHF-së. Kjo për faktin e thjeshtë se Shqipëria është e padëshiruar atje dhe për të organizuar dy miqësore, është dashur të kalohet mes 100 peripecish dhe të ndërrohet edhe shtet për njërën prej tyre.

Për zhvillimin në një stadium zviceran të ndeshjes Shqipëri-Kosovë, u desh të ndërhynte një nga përfaqësuesit e klubeve më të mëdha zvicerane, Zyrihut, i cili falë njohjeve të tij në federatën zvicerane i bindi ata që të jepnin lejen që ndeshja të zhvillohej në territorin e këtij vendi, ku do të përgatiten këto ditë të dy përfaqësueset.

Por kur bëhej fjalë për ndeshjen Shqipëri-Ukrainë, një tjetër sfidë e parashikuar të zhvillohet këto ditë nga skuadra e Panuçit, zviceranët kanë bërë rezistencë të dukshme. Kjo ka detyruar FSHF-në që pas shumë negociatash të zhvendosë takimin ndaj Ukrainës në Francë dhe ka gjetur stadiumin më të afërt të mundshëm me Zvicrën, atë të Evian në Anesi për të luajtur këtë takim.

Në fakt, kjo krahinë franceze gjendet në kufi me Zvicrën dhe ka qenë e lehtë të bindej Ukraina që të pranonte këtë propozim të ri, edhe pse fillimisht atyre u ishte thënë se ndeshja do të luhej në territorin zviceran.

Të gjitha këto telashe kanë lindur nga fakti se tashmë Shqipëria është kthyer në “armiken” e Federatës Zvicerane të Futbollit, e cila ka filluar pak nga pak të ndjejë pasojat e faktit që shumë talente shqiptare tani nuk veshin më fanellën e saj. /vipsport.al/