Vata: Nuk prisja dhurata nga Partizani, Vllaznia mori atë që meritonte

Ish-futbollisti i njohur shkodran, Rudi Vata, e ka cilësuar ditën e sotme ku Vllaznia dekretoi rënien nga kategoria, si vijimësi për të cilën qyteti i Shkodrës ishte përgatitur.

“Lajm i keq, po në një farë mënyrë ishin përgatitur dhe Vllaznia u vërtetua që nuk ka kapacitetin për të qëndruar. I gjithë opinioni ishte i përgatitur për këtë situatë që u bë realitet, jo se ishte surprizë e madhe. Ishte deri diku e pritshme, e trishtë për qytetin e Shkodrës, tifozët, historinë e futbollit shqiptar.

Ka pasur shumë mangësi që Vllaznia të ketë një rrugëdalje tjetër, tani është tepër vonë për të diskutuar e analizuar gabimet, e dimë të gjithë si ka funksionuar, ditë e trishtë për futbollin shqiptar dhe ditë e zezë për Shkodrën.

Ndeshjen e kam parë nëpërmjet internetit, por kur e pashë kronikën e ndeshjes mes Skënderbeut dhe Vllaznisë, e kuptova se çfarë ka ndodhur. Nuk besoj se ka ndonjë person që nuk e kuptoi se çfarë ka ndodhur. Vllaznia nuk ka nevojë për mëshirim, pasi kjo ndodhi me të. Ndeshjen ndaj Skënderbeut mund ta quaj një cirk dhe mund të them se unë ndihem i turpëruar.

Do të kisha preferuar të mos isha pjesë e këtij skenari dhe futbollistët janë duke u përdorur, për të mos derdhur djersë të ndershme në fanellë. Njerëzit që komandojnë në futbollin shqiptar, nuk kanë eksperiencë dhe nuk kanë dalë asnjëherë nga territori shqiptar, për të parë se çfarë bëhet në Europë. Në Shqipëri çdo gjë funksionon mbrapsht dhe futbolli është pjesë e këtij sistemi. Shkatërrimi i Vllaznisë ka nisur që nga momenti kur Fushaj është larguar nga klubi dhe u ra në dorën e bashkisë.

Problemi më i madh në Shkodër janë njerëzit brenda familjes që gjithmonë kanë prishur punën e skuadrës. Ai person që ka vendosur të më largojë mua, atëherë ai morri përsëripër një të keqe të Vllaznia.

Ish-kryetari i bashkisë së Shkodrës, Luka nuk donte të më largonte, por për interesa të ndryshëm politikë u detyrua që të më largonte.

Njerëzit që shkatërruan Vllazninë sot janë të lumtur, por mbeten njerëz të vegjël.

Cungu u prapagandua se ishte trajner i ri i mirë, një shkodran i vërtetë që i ka njohur mirë shkodranët e më pas vazhdoi me një trajner kampion si Gjoka. Kur ke dy trajnerë të mirë, si ka mundësi që nuk krijon dot një ekip të mirë. Financat nuk munguan.

Por, në Shkodër ka njerëz që zgjohen në mëngjes dhe mendojnë si të shkatërrojnë Vllazninë.

Futbollistët që kanë kualitet të mirë harxhojnë kohën në bixhoz. Unë gjatë eksperiencës sime si trajner, më ka ndodhur që lojtarët kanë luajtur letra deri në 3 të mëngjesit, ndërkohë që kishin ndeshje të rëndësishme, si ajo kundër Skënderbeut”, tha Rudi Vata në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH.

VERDIKTI– “Vllaznia dhuratë nga Partizani? Me logjikë normale nuk prisja. Unë e di që gjithë Shkodra ishte e bindur se ekipi do të binte pas barazimit me Kamzën. Vllaznia ka marrë atë që meriton. Situata zgjidhet përmes një bashkëpunimi mes njerëzve të zotë dhe profesionistëve që kanë kontribuar në futbollin shkodran. Shkodra ka kapacitet si në futbollistë dhe financa. Tani varet nga vullneti i bashkisë për të krijuar një ekip të mirë.

DJALI I VATËS– “Roko vazhdon shumë mirë te Sëlltiku. Rruga është e gjatë dhe vazhdimësia duhet të jetë e njëjtë. Deri tani çdo gjë shkon shumë mirë. Do të marrë pjesë në një turne në Belgjikë ku shpresoj të shkojë mirë dhe atje”.