Soue fiton “Këpucën e Artë” nga stoli, supergoli i Gurit nuk mjafton

Përveç titullit kampion që ka shkuar në Korçë, Ali Soue ka çuar edhe një trofe në qytetin e serenatave, pasi ka arritur të fitojë duelin ndaj Sindrit Gurin për “Këpucën e Artë”.

Sulmuesi i korçarëve ka shënuar këtë sezon 21 gola, nga të cilët vetëm një me penallti dhe 10 herë golin e parë për skuadrën, duke qenë padyshim protagonisti kryesor në fitimin e titullit kampion nga Skënderbeu. Megjithëse sot nuk ishte në lojë ndaj Vllaznisë, ai ka arritur të qëndrojë në krye të golashënuesve, pasi Guri ka shënuar vetëm një gol në Kukës ndaj Flamurtarit, duke qëndruar në kuotën e 20 golave.

Sulmuesi shkodran, ashtu si Soue ka shënuar vetëm një gol me penallti, ndërsa ka arritur të shënojë plot 13 herë golin e parë të skuadrës. I treti në këtë listë, renditet sulmuesi i Laçit, Rexhinaldo me 17 gola të shënuar. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/