Skënderbeu apo Kukësi në Champions? Ja data kur do mësohet gjithçka

Kategoria Superiore sapo ka marrë fund por tashmë lind pyetja më e rëndësishme: Kush do të na përfaqësojë në Kupat e Europës? A do të jetë Skënderbeu apo Kukësi në Champions? A do të jetë Partizani në Europa League nëse dënohet ekipi korçar? Ka një datë të caktuar kur pyetjet e tifozerisë shqiptare do të marrin përgjigje dhe ajo është 19 qershori.

Në këtë datë, në Nion të Zvicrës, do të hidhet shorti i parë i turit eliminator të Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Europës. Aty, UEFA do të caktojë skuadrat pjesëmarrëse si në njërin aktivitet, ashtu edhe në tjetrin dhe sipas sinjalizimeve të para, dëshiron të evitojë atë që ndodhi dy vite më parë kur Partizani zuri vendin e Skënderbeut në momentin e fundit dhe jo që në short.

UEFA, për të cilën aktualisht Skënderbeu është i përjashtuar, në atë datë do të ketë idetë e qarta jo vetëm për skuadrën që do të përfaqësojë Shqipërinë në Ligën e Kampioneve, por edhe ata në Ligën e Europës.

Dy vite më parë, me kalimin e Skënderbeut në Ligën e Kampioneve, Tiranës së vendit të katërt iu hoq e drejta të merrte pjesë në Europa League. Nëse atëherë FSHF nuk ngriti zërin për këtë zhvlerësim që i bëhej futbollit shqiptar, që u paraqit me vetëm 3 ekipe në Europë, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë këtë vit, pasi ato zhvillime sollën anomali për një sërë arsyesh të ndryshme ne eliminatoret europiane, duke filluar nga koeficientet e skuadrave, ai kombëtar, ndikimi në short, etj.

Ndaj me 19 qershor do të mësohet fillimisht se kush do të jenë pjesëmarrësit në Europë, për të mbyllur kapitullin e parë të një çështje shumë të rëndësishme për futbollin shqiptar, i cili sipas UEFA-s ka varësi të plotë nga të ardhruat që siguron nga aktivitetet ndërkombëtare. /E.K./vipsport.al/