Shkëmbi: Vazhdojnë të më thërrasin kapiten, nuk kam asnjë kontakt me Tiranën

I pranishëm në stadiumin “Skënderbeu” është edhe ish-kapiteni i tij, Bledi Shkëmbi, i cili nuk mund të mungonte në këtë ditë feste. Pas përvojës në stolin e Lirisë së Prizrenit në Kosovë, Shkëmbi mund të drejtojë në Superiore, por këtë çështje e ka sqaruar vetë ish-mesfushori për “RTSH Sport”, duke thënë:

“Skënderbeu nuk ka ndryshuar shumë nga koha kur isha unë, vazhdon të fitojë, pas pauzës së sezonit të kaluar. Ndjej kënaqësi, që Skënderbeu vazhdon të fitojë. Edhe tani vazhdojnë të më thërrasin kapiten. Më vjen mirë nga njëra anë, por tani dua të bëj emër si trajner.

Skënderbeu ka arritur të ketë sukses nga investimi dhe menaxhimi që kanë bërë drejtuesit e tij, ish-presidenti Agim Zeqo dhe presidenti aktual Ardjan Takaj.

Tirana? Vetëm nga gazetat ose portalet kam dëgjuar, nuk ka asgjë të vërtetë deri tani. Ka kontakte, por jo nga Tirana. Me Lirinë ishte një eksperiencë shumë e bukur”, – ka thënë para ndeshjes ish-kapiteni i Skënderbeut, Shkëmbi. / Vipsport.al

more recommended stories