Paradoksi i Gjimshitit! Në Serinë A është më i aktivizuari, 0 minuta me Panuçin

Ka diçka që nuk shkon me Berat Gjimshitin! Duhet të jetë medoemos kështu, pasi prej një viti, mbrojtësi grumbullohet rregullisht me përfaqësuesen shqiptare, por nuk zbret asnjëherë në fushën e lojës. Një situatë paradoksale, duke llogaritur se në fakt, ai është i vetmi futbollisti i qendrës së prapavijës kuqezi që ka luajtur me rregullsi të admirueshme në klubin e tij e për më tepër në një kampionat shumë të fortë si është Seria A.

Në fakt, sipas statistikave zyrtare të këtij sezoni që sapo u mbyll në Itali, Gjimhsiti është futbollisti më i aktivizuar te Benevento, me 30 ndeshje në fushën e lojës për një total prej 2892 minutash. Ndonëse Benevento ka rënë nga Seria A, mbrojtësi i huazuar nga Atalanta është vlerësuar pozitivisht dhe fakti që është aktivizuar me rregullsi në kampionat tregon që cilësitë e tij nuk vihen në diskutim.

Në Kombëtare situata është krejtësisht ndryshe. I aktivizuar për herë të fundit në qershorin e vitit të kaluar, në fitoren 3-0 ndaj Izraelit, që me emërimin e Kristian Panuçit ai nuk preferohet më në radhët e kuqezinjve. Futbollisti ka parë të luajnë para tij Ajeti, Mavraj e Veseli në qendër të prapavijës, ndërsa së fundmi Panuçi kishte grumbulluar edhe Prengën nga kampionati kroat për ta testuar si qendërmbrojtës.

Ndaj nëse Ajeti e Mavraj, që kanë luajtur me pikatore luajnë para tij në miqësoret e ardhshme, me siguri mbrojtësi nuk do të çuditet, i mësuar tashmë me këtë trajtim në radhët e kuqezinjve. /E.K./vipsport.al/