“Trukimi” nga Korça dhe morali nga Tirana

Kampionati shqiptar është në fazën më tragjikomike, ashtu sikurse ndodh çdo vit në fazën e fundit ku pazaret bëhen haptazi dhe të gjithë e pranojnë këtë fakt. Të mërkurën luhen ndeshjen e fundit të këtij sezoni ku fituesi është zyrtarizuar, së bashku me skuadrat që do të marrin pjesë në Kupat e Europës.

Vetëm emri i skuadrës që do t’i bashkohet Lushnjës për në Kategorinë e Parë nuk është mësuar ende dhe në garë është një skuadër me tradita dhe histori të madhe që nuk ka rënë asnjëherë nga Kategoria, Vllaznia. Dhe rivalja e saj është Kamza që pas një sezoni mjaft të mirë në dy fazat e para, tashmë është kandidate për të rënë në një kategori më poshtë.

Vllaznia është një klub që për disa sezone është gjithnjë në vendet e ekipeve që luftojnë për mbijetesën, ku vitin që kaloi arriti që të shpëtonte mrekullisht vetëm në ndeshjen e fundit kundër Tiranës.

Kjo gjendje e Vllaznisë ka ardhur për shkak të shpërdorimit të dyshimtë të lekëve, që janë të taksapaguesve shkodranë pasi ky ekip drejtohet nga Bashkia dhe kryebashkiakja Voltana Ademi e cila përveçse ka dështuar në drejtimin e Shkodrës, të vetmin premtim që po mban është rrëzimi i Vllaznisë në Kategorinë e Parë (këtë e ka premtuar në fushën elektorale të zgjedhjeve vendore të vitit 2015).

Që prej se shtunës ku Vllaznia fitoi me Kukësin dhe Kamza humbi me Laçin, në Shkodër të gjithë po luten që Partizani të fitojë ndaj kamzalinjve në “Selman Stermasi”, ç’ka do t’i siguronte Vllaznisë mbijetesën në Superiore.

Ajo që është qesharake dhe skandaloze është fakti se sfida mes Skënderbeut dhe Vllaznisë cilësohet një ndeshje pa shumë pretendime pasi fitorja e shkodranëve është e sigurt. Pra, kemi të bëjmë me një “trukim” haptazi që pa nisur mirë sfida, dhe ndërkohë bëhet thirrje dhe kërkohet që në Tiranë mos të bëhet e njëjta gjë si Korçë, por të respektojnë “fair-play”.

Me pak fjalë është si shprehja: “Bëj si them unë, por mos bëj si bëj unë”.

Kjo e bën dhe më skandaloze gjendjen e futbollit shqiptar dhe tregon për të disatën herë se në çfarë gjendje është katandisur ky sport në vendin tonë dhe ata që po e shkatërrojnë përditë janë vetë klubet, të cilat kanë dhe bekimin e Federatës Shqiptare të Futbollit e cila është bërë palë me këto maskarallëqe që po e shëmtojnë përditë këtë sport duke i detyruar çdo ditë e më shumë sportdashësit të largohen nga shkallët e stadiumit.

Jemi përpara një fakti që ndeshjet po lihen hapur në sy të tifozëve dhe të teleshikuesve që i ndjekin këto takime të turpshme nga ekrani dhe nuk kemi asnjë masë dhe ndalim të kësaj shëmtie futbollistike. Dhe pastaj ankohemi pse na vinë dënime nga UEFA. Nxjerrim dhe teorira se UEFA nuk ka këllqe me klube të tjera europiane dhe merret me ekipet shqiptare, ndërkohë që këtu tolerimet e ndeshjeve po bëhen në sy të të gjithëve dhe ata që duhet të marrin masa po mbyllin sytë.

Para pak javësh Armando Duka kërkoi bashkëpunim me prokuroren e përgjithshme Arta Marku, për të parandaluar fenomenet korruptive të futbollit shqiptar. Një kërkesë qesharake e ardhur nga një person që ka probleme me drejtësinë dhe që po lejon javë për javë që këto ndeshje të turpshme të ndodhin në futbollin shqiptar duke mos marrë asnjë masë.

Dhe tani Arta Marku është tashmë përpara një shembulli flagrant ku ndeshjet po tolerohen haptazi dhe në një stadium është vendosur fati i ndeshjes pa nisur takimi, ndërsa në një tjetër kërkohet që të luhet ndershëm.

Unë nuk e di se çdo të ndodhë në Tiranë të mërkurën mes Partizani dhe Kamzës nëse do luhet futboll i ndershëm apo jo; por deri tani jemi përpara një fakti që në Korçë “trukimi” i ndeshjes është vulosur.

Opinion nga Fatjon Baze

more recommended stories