Mrekullia Laçi, “fëmijët e tmerrshëm” bëhen gati për Europën

Me rënien e Vllaznisë, festën e titullit kampion të Skënderbeut apo edhe kualifikimin e parë historik të Luftëtarit në Europë, pa dashje ka kaluar në plan të dytë fakti se ngjatë verës, në arenën europiane do të jetë e pranishme edhe skuadra e Laçit. Sido që të ndahet finalja e Kupës, kurbinasit kanë siguruar praninë e tyre duke qenë të katërtit e tejkaluar çdo lloj pritshmërie ndaj një skuadre që në fillim të seoznit, shumëkush e shihte pretendente për luftën për mbijetesë.

Një ekip me moshën mesatare 23,6 vjeç, me emra si Selmani, Fangaj, Xhixha, Kallaku, Jonuzi, Bardhi, Lushkja, Uzuni e Lulaj që janë të gjithë poshtë kësaj mesatareje, normalisht duhej të shihej si një skuadër e cila do të luftonte për të qëndruar në Superiore si pasojë e mungesës së eksperiencës.

Por “fëmijët e tmerrshëm” të drejtuar nga Mezani kaluan çdo parashikim dhe tani e shohin veten duke bërë plane për një tjetër sfidë të rëndësishme në karrierën e tyre të re, atë në arenën europiane. Klubi ka bërë të qartë se do të kërkojë të nxjerrë në pah sa më mirë vlerat e këtyre talenteve që ka grumbulluar, ndaj të gjithë do të qëndrojnë për Europën. Por sido që të shkojë në Ligën e Europës, për shumë prej tyre, e ardhmja brenda apo jashtë Shqipërisë, tashmë është e garantuar. /vipsport.al/

more recommended stories