Kukësi kërkon ta mbylle me festë, “ftesë” për tifozët

Kukësi i Pakult kërkon ta mbyllë me fitore dhe me një festë edicionin në Superiore para se të nisë pushimet duke menduar për Kupat e Europës. Kjo është arsyeja se pse trajneri Pakult, edhe pse ndeshja ndaj Flamurtarit nuk shërben për asgjë, ka vendosur t’u besojë shumë prej titullarëve të rregullt.

Në formacionin e Kukësit pritet të ketë pak ndryshime në krahasim me ata lojtarë që kanë luajtur rregullisht, kryesisht të diktuara nga dëmtimet e titullarëve, për të cilët është parë e arsyeshme që të mos rrezikohen dhe u janë dhënë pushimet para kohe.

Por klubi ka bërë të qartë se kërkon një rezultat pozitiv për të kënaqur tifozerinë, të cilën e ka ftuar të jetë e pranishme në këtë duel pasi ekipi do t’iu mungojë për një kohë të gjatë meqë në Kupat e Europës nuk luan dot në impiantin e amortizuar të Kukësit. Për sot hyrja në stadium është falas, me shpresën që mbështetësit e klubit verilindor të vijnë të përshëndetin skuadrën e cila nën drejtimin e Pakult është shfaqur dominuese në vitin 2018. /vipsport.al/