Ironia e Spaletit për rinovimin: Sot do kalonte në plan të dytë

Lajmi i ditës në Itali dhe në shumicën e mediave kryesore sportive europiane ka qenë firma e Karlo Ançelotit me Napolin. Kjo ka bërë që shumë tema të tjera të rëndësishme të kalonin në plan të dytë e një prej tyre është edhe fakti se Interi ka gjetur akordin me Spaletin për rinovimin e kontratës së teknikut.

“Kemi ardhur këtu për të ndarë darkat që kishim fituar bast me ata që nuk besonin te ne. Ishim të bindur prej kohësh që do të mbërrinim aty ku mbërritëm”, ishte batuta e Spaletit para gazetarëve, pasi dilte nga zyrat e klubit ku ishte takuar me drejtuesit më të lartë të skuadrës zikaltër të cilët pritet të zyrtarizojnë gjithçka nesër.

“Jam shumë i lumtur, jo shumë, por edhe më shumë. Jemi aty ku duhej të ishim, prekim parajsën me gishta. Sa u përket rinovimeve apo ndonjë gjëje tjetër, a nuk firmosi Ançeloti? Nëse ju them se kam firmosur edhe unë, i imi kalon pa u vënë re, para tij unë nuk jam asgjë”, ishte batuta e Spaletit. /vipsport.al/