I ftuar në Kombëtare nga Panuçi, por sezonin tjetër luan në Serie C

Armando Vajushi kthehet pas shumë kohësh në radhët e kombëtares shqiptare të futbollit, pasi problemet e vazhdueshme me dëmtimet e kishin lënë atë jashtë planeve kuqezi.

Mesfushori ndërroi skuadër pas skuadre, për të përfunduar në sezonet e fundit në Serinë B italiane, fillimisht me Pro Verçelin e së fundmi në huazim me Avelinon. Me këtë të fundit, Vajushi filloi të shfaqej përsëri protagonist me ndeshje mjaft të mira, duke ndihmuar skuadrën që të mbijetonte në Serinë B në fund të këtij edicioni.

Por sipas mediave italiane, Avelino nuk do të ushtrojë të drejtën për të blerë kartonin e lojtarit, siç ishte në marrëveshjen e huazimit, që do të thotë se futbollisti i kthyer në radhët e kuqezinjve, duhet të paraqitet në grumbullim me Pro Verçelin në verë.

Ai grumbullim, fatkeqësisht për klubin e tij dhe për vetë lojtarin, është për pjesëmarrjen në Serinë C, pasi skuadra e Vajushit në fund të sezonit ra nga kategoria. Kësisoj, lojtari ose duhet të fillojë të përgatitet për pjesëmarrjen në nivelin e tretë të futbollit në Itali, ose të kërkojë një sistemim të ri. /vipsport.al/

more recommended stories