Bushi: Shumë nga lojtarët që kam grumbulluar nuk i njoh, pas ndeshjes së parë do t’i largoj

Shqipëria U21 do të luajë 3 ndeshje miqësore në harkun kohor të 10 ditëve, ku përballë do të ketë Bosnjen dhe Bjellorusinë. Në një konferencë për mediat, tekniku i Shpresave, Alban bushi është shprehur se këta lojtarë do të provohen në këto ndeshje miqësore, duke shtuar se disa prej tyre do të largohen pas ndeshjes së parë. Ai ka pranuar gjithashtu se shumë futbollistë në listë nuk i njeh personalisht, por i ka vetëm si sugjerime.

“Miqësoret? Kemi menduar 3 ndeshje për 10 ditë ndaj Bosnjes dhe Bjellorusisë. Bosnja është shumë e fortë dhe duhet të shohim vlerat e futbollistëve nëse mund të përballojnë sezonin që po vjen. Bjellorusia nuk është shumë e fortë por ne do bëjmë maksimumin për të fituar ndaj të dyja skuadrave.

Të rinjtë? Po rinovojmë ekipin për vitin tjetër. Janë lojtar të vegjël por me skuadra të mëdha, siç është Lindon Selahi i cili pavarësisht se është me Shpresat i ka të gjitha cilësitë për të qenë te Kombëtarja A. Luan me Standard Liege si titullar. Kemi shumë mungesa si Manaj, Ramadani por do të mundohemi t’i zëvendësojmë. Në mbrojtje kemi probleme pasi janë të gjithë mesfushorë dhe sulmues. Duhet t’i gjejmë se s’bën mbrojtësit si në qendër ashtu edhe në krah sepse pa to është problem i madh.

Keidi Bare? Si Shpresat ashtu edhe Kombëtarja A janë njësoj. Panuçi nuk e ka menduar të arsyeshme për ta grumbulluar dhe mendoj se ka ndikuar dënimi që mori në Spanjë pasi bëri që të mos ketë shumë minuta në këmbë.

Ronaldo Ndreu? Janë disa lojtarë që na janë sugjeruar por unë nuk i kam parë si futbollistë. Do t’i shohim këto ndeshje miqësore dhe nëse arrijnë të bëjnë mirë mund të luajnë e nëse nuk arrijnë të bëjnë mirë, nuk i grumbulloj më. Është rasti i Gurit i cili nuk ka luajtur me Shpresat dhe tani është pjesë e Kombëtares A.

Lojtarët nuk e kanë shumë mendjen te grumbullimi pasi duan të pushojnë sepse vijnë nga fundet e kampionateve por duhet ta bëjnë edhe një sforco. Ata duhet të luajnë futboll në radhë të parë dhe pavarësisht nëse fitojnë apo jo nuk prish shumë punë. Janë disa lojtar si Bare, Abazaj, Ramadani apo Selmani që janë lojtarë për A.

Nga ana taktike duhet të punojmë dhe në fushë të japin atë që ne bëjmë në stërvitje. Në pak ditë, ata duhet të jenë inteligjentë për të bërë mirë në fushë. Do të bëj shumë ndryshime dhe pas datës 30 do të ketë një listë tjetër, pasi këta që kam grumbulluar aktualisht do të largohen.

Si Shabani ashtu edhe Selahi do të kenë minutat e duhura për të treguar veten. Kam marrë edhe lojtarë nga Kategoria e Parë, por niveli i asaj kategorie nuk është i duhuri për të ardhur te Shpresat. Nuk është ligë si Superiorja por duhet t’i shohim edhe ato”, u shpreh Bushi. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/