Bujar Lika për “VIP Sport”/ “Nder dhe krenari të luaj për Shqipërinë, ja e ardhmja ime”

Një ndër afrimet e reja në Kombëtare nga tekniku Kristian Panuçi për ndeshjen miqësore me Norvegjinë, ishte mbrojtësi i Grasshopersit Bujar Lika, i cili luajti për disa minuta në humbjen 0-1.

Ai është ftuar sërish nga Panuçi edhe për dy ndeshjet miqësore që Shqipëria do të luajë ndaj Kosovës e Ukrainës, dhe në një prononcim për “VIP Sport”, Lika shprehet se ndihet krenar dhe i lumtur që luan për Shqipërinë.

“Grumbullimi i dytë me Kombëtaren? Ndihem shumë i lumtur për ftesën e dytë pasi për mua është një nder i madh të luaj për kombëtaren shqiptare. Falënderoj trajnerin Panuçi dhe FSHF-në që bënë të mundur që unë të jem pjesë e saj.

Pres një atmosferë të mrekullueshme kundër Kosovës. Objektivi për mua është që të jap maksimumin në çdo stërvitje, sepse vetëm ajo është në dorën time. Kombëtarja ka shumë kualitet dhe kemi lojtarë individualë te fortë.

Familja është ndierë shumë e lumtur dhe krenare njëkohësisht. Gëzimi është i madh që luaj për fanellën kuqezi”, u shpreh Lika.

I pyetur për të ardhmen, ai tregon se ka një kontratë me Grasshopersin dhe do ta respektojë atë, për të arritur objektivat që skuadra dhe ai personalisht kanë.

“E ardhmja? Është e vërtetë që sezoni për Grasshopersin nuk ka qenë i mirë. Kemi pasur disa ndryshime ne klub, me trajner e shumë gjëra të tjera. Objektivi për vitin e ardhshëm është kualifikimi për “Europa League”. Besoj se një klub i madh si Grasshopers duhet ta ketë këtë objektiv. Unë kam edhe një vit kontratë dhe pastaj do të shoh se çfarë mund të bëj për të ardhmen.

Ndërrimi i trajnerit nuk do të ndikojë aspak në të ardhmen time, pasi unë kam qëllimin tim dhe do të punoj shumë për ta arritur. Bisedimet dhe fillimi me trajnerin e ri kanë qenë relativisht të mira”, përfundoi Bujar Lika. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/