Argjentina humbet portierin titullar, shtohet lista e mungesave të mëdha në Botërorin e Rusisë

Ditët para një kompeticioni madhor, siç është një kampionat botëror, për shumë futbollistë bëhen ditë ankthi. Nga gëzimi për pjesëmarrjen në një kupë bote, gjë që mund të ndodhë vetëm një herë në jetë, mund të vijë trishtimi i madh për ta humbur këtë ëndërr.

Para çdo botërori ka një listë me mungesat e mëdha dhe në këtë të radhës, që zhvillohet në Rusi, kjo listë ka filluar të mbushet. Pas Dani Alveshit të Brazilit dhe ndonjë tjetri, edhe portieri titullar i Argjentinës, Serxho Romero, e ka humbur “Rusi 2018”. Një dëmtim në gju ka bërë që ai të qëndrojë në shtëpi.

Lajmin e ka bërë të ditur Federata e Argjentinës, duke dalë me një komunikatë, ku shkruan se portieri i Mançester Junajtid do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Pritet të mësohet emri i portierit që do ta zëvendësojë dhe që trajneri Sampaoli do të bëjë të ditur shumë shpejt. Dy portierët e tjerë të grumbulluar me Argjentinën janë Kabalero i Çelsit dhe Armani i River Plejtit. / Vipsport.al