Ançeloti ka firmosur! Te Napoli bashkë me të birin dhe dhëndrin

Karlo Ançeloti mund të cilësohet që tani trajneri i ri i Napolit. Ish-trajneri i Milan, Çelsi, Real, Bajern e PSG zëvendëson Mauricio Sarrin i cili do të largohet me apo pa dëshirë nga drejtimi i napolitanëve, pasi presidenti De Laurentis nuk e sheh më atë si pjesë të projektit për të ardhmen e klubit.

Një bashkëbisedim prej 3 orësh në shtëpinë e De Laurentis në Romë ka zgjidhur çdo lloj dyshimi për të ardhmen, pasi Ançeloti ka pranuar kushtet e klubit si dhe është gjetur akordi financiar. Ançeloti do të përfitojë 6,5 milionë euro në vit, shumë ku përfshihen edhe shpenzimet për stafin e tij. Aty bëjnë pjesë edhe i biri, Davide, si dhe dhëndri, Mino Fulsko, i cili do të ketë detyrën e përgatitjes së ushqimeve sportive.

Gjatë mbledhjes së mbrëmshme janë diskutuar edhe përforcimet e mundshme të skuadrës ku sipas mediave italiane, emrat e parë që kanë qarkulluar si afrimet e para të Napolit janë Vidal dhe Suso, të gatshëm për të punuar me Ançelotin. /vipsport.al/