“Valsi” i stolave të Superiores, vetëm Ilir Daja te Skënderbeu vazhdon të “vallëzojë”

Ndoshta nuk është më i paguari, por më i miri po, nuk ka diskutim. Ilir Daja është trajneri më i suksesshëm në Superiore, një kampionat që “ha” trajnerë. Trajneri i Skënderbeut është i vetmi që nuk është vënë në diskutim gjatë këtij sezoni të jashtëzakonshëm për korçarët, me rezultate mjaft të mira në Europë dhe në kampionat e kupë.

Nëntë nga dhjetë skuadrat e Superiores i kanë ndërruar trajnerët e tyre, madje disa më shumë se një herë. Lëvizjet më të shpeshta në stol i ka pasur Lushnja, që është drejtuar nga katër trajnerë të ndryshëm këtë sezon, më pas vijnë Teuta dhe Partizani me nga tre. Ndryshimet e fundit në stol ishin te Kamza dhe Flamurtari, ku Ramadan Ndreu dhe Shpëtim Duro nuk mundën ta përfundonin sezonin.

Kurse te Skënderbeu nuk ka pse ta mendojnë ndryshimin në stol, përderisa ekipi i drejtuar nga trajneri Daja funksionon si një makineri perfekte. Edhe kur ka mungesa të shumta titullarësh, Skënderbeu arrin të bëjë mirë, duke shfrytëzuar peshën e fanellës. Dora e Dajës është e ndjeshme te loja e korçarëve. Ai e ka marrë drejtimin e Skënderbeut pas gjysmës së parë të sezonit të shkuar.

 

Ja dhe lëvizjet e trajnerëve në 10 skuadrat e Superiores

1.Skënderbeu Ilir Daja

2.Kukësi Mlladen Milinkoviç, Peter Pakult

3.Partizani Mark Iuliano, Sulejman Starova, Klevis Dalipi

4.Luftëtari Luis Kurbejo-Daniel Fernandez, Hasan Lika

5.Laçi Stavri Nica, Gentian Mezani

6.Flamurtari Shpëtim Duro, Petraq Bifsha-Faton Beqiri

7.Kamza Ramadan Ndreu, Julian Ahmataj

8.Teuta Gugash Magani, Stavri Nica, Gentian Begeja

9.Vllaznia Armando Cungu, Ernest Gjoka

10.Lushnja Artan Bano, Hysen Dedja, Dritan Çuko, Ilir Gjyla