U transferua te Anderlehti, Abazaj për “Vip Sport”: Merita e madhe e Luftëtarit, trajneri belg më ftoi menjëherë në zyrë

Kristal Abazaj ka hedhur një hap të rëndësishëm në karrierën e tij duke shënuar edhe një arritje për kampionatin shqiptar, teksa arriti të zyrtarizohej si futbollisti i Anderlehtit.

Niveli i treguar gjatë këtij edicioni në Superiore bëri që gjigantët belg të mos kishin dyshime mbi aftësitë e sulmuesit të Luftëtarit, duke i besuar një vend në skuadër. Në sezonin e ri Abazaj do të nis një cikël të ri, për të jetuar ëndrrën më të bukur të karrierës së tij. Në një prononcim për “Vip Sport”, sulmuesi tregon se menjëherë pasi kaloi testet mjekësore, trajneri i Anderlehtit e ka ftuar futbollistin në zyrë për të bashkbiseduar me të për projektin e së ardhshmes.

“Përshtypja e parë te Anderlehti ishte vërtet fantastike. Fillimisht nuk po e kuptoja se ku gjendesha, por kjo ishte një ëndërr e kthyer në realitet. Te klubi belg më pritur të gjithë në mënyrën më të mirë, ndërsa trajneri më ftoi menjëherë tek zyrat e tij dhe bëm një bashkbisedim. Gjasat për një fanellë titullari janë të mira, por kërkohet shumë punë për të shpërblyer besimin që më është dhënë. Luftëtari ka meritën më të madhe në gjithë këtë arritje, sepse nga aty nisi gjithçka për këtë aventurë të re. Ajo që dua t’ju them lojtarëve të Superiores, është që të stërviten shumë dhe të mos dorëzohen kurrë, pasi do të vi një ditë edhe shansi i tyre”, është shprehur Abazaj. /Klaudio Ndreca- vipsport.al/