Tri ndeshje pezullim me provë televizive për Alonson e Çelsit, arbitri nuk pa asgjë

I ka kushtuar tri ndeshje pezullim mbrojtësit spanjoll Markos Alonso ajo ndërhyrje nga prapa gjatë ndeshjes me Sauthemptonin, ku skuadra londineze fitoi 2-3.

Lojtari anësor i Çelsit bëri një ndërhyrje shumë të ashpër, kur topi ishte larg, ndaj Shejn Long. As arbitri kryesor dhe as asistentët e tij nuk e panë ndërhyrjen nga pas të Alonsos në këmbët e kundërshtarit. Por spanjolli nuk i ka shpëtuar dënimit, gjithsesi.

Falë provës televizive, një komision i Federatës Angleze të Futbollit ka marrë vendimin për pezullimin e tij për tri ndeshje. Alonso do të mungojë në ndeshjen me Sauthemptonin në “Fa Cup”, si dhe në kampionat ndaj Bërnlit dhe Suonsit. Interesant është fakti se lojtari i Çelsit ishte zgjedhur në formacionin ideal të vitit në  Premier, i vetmi nga Çelsi.

Ai është munduar të mbrohet, duke e mohuar qëllimin për të dëmtuar kundërshtarin, por imazhet tregojnë qartë se ka shumë ashpërsi në atë ndërhyrje. / Vipsport.al