Superliga/ Formacioni më i mirë i javës 30, ja kush spikati

Java e 30-të e Superligës përfundoi sot me takimin Partizani-Skënderbeu 0-1.

“Vipsport.al” ka përzgjedhur edhe në këtë xhiro të radhës së kampionatit, formacionin më të mirë të javës.

FRASHËRI– Kukësi mori një barazim 0-0 në Laç, ndonëse kampionët në fuqi pretendonin më shumë se kaq, duke u ankuar për vendimet e gabuara të gjyqtarit Meta. Gjithsesi, për mënyrën se si shkoi ndeshja dhe sidomos në fund, portieri Frashëri mund të cilësohet si “heroi” i Kukësit, pasi evitoi disa gola të sigurt.

ALITI– Mbrojtësi i Skënderbeut ishte i pakalushëm kundër Partizanit. Asnjë gabim gjatë ndeshjes dhe në lartësinë e duhur për të sprapsur sulmet e të kuqve.

GOJKOVIÇ– “Mur” përballë Skënderbeut. Mbrojtësi i Partizanit arriti të neutralizonte më së miri sulmuesit e skuadrës bardhekuqe dhe nuk çaloi në lojën e tij. Nuk ka faj te goli.

ZGURO– Kundër Lushnjes bëri një super paraqitje. I fortë në mbrojtje dhe aktiv në sulm. Dha asisin për golin e dytë të Kamzës, të cilin e shënoi Plaku dhe i dha tri pikët ekipit.

RAMADANI– Një paraqitje shumë e mirë në Shkodër. Mesfushori i Luftëtarit ishte shpesh edhe iniciator i aksioneve të rrezikshme, por edhe shumë i vëmendshëm për të mbyllur aksionet e Vllaznisë.

DITA– Meriton një vend në formacionin më të mirë të javës për golin e shënuar në minutën e fundit. Një gol që i dha tri pikët Skënderbeut.

BREGU– Me Abazajn kuptohet me sy mbyllur. Shënoi golin që vulosi fitoren 2-0 të Luftëtarit kundër Vllanzisë.

MUAREM– Dy gola dhe një asis në fitoren e Flamurtarit (3-1) kundër Teutës. Tregoi më në fund kualitetin që zotëron dhe aftësitë që nuk i mungojnë, duke bërë liderin në fushë.

KALLAKU– Sulmuesi i Laçit ishte në formë kundër Kukësit. Nuk shënoi, por provoi shumë. Portieri i Kukësit, Frashëri i mohoi golin, duke bërë mrekullinë.

ABAZAJ– Tjetër gol me peshë për Luftëtarin. Shënoi golin e parë për gjirokastritët kundër Vllaznisë dhe ishte rrezik konstant për mbrojtjen shkodrane.

PLAKU– Kapiteni i Kamzës ishte “heroi” i skuadrës për këtë javë. Dy gola ndaj Lushnjes dhe tri pikë që kaluan nga këmbët e tij, duke bërë që Kamza të shpresojë më shumë te mbijetesa./Vipsport.al/