Skënderbeu në gjyq, korçarët shtyjnë ndeshjen ndaj Kukësit

Skënderbeu-Kukësi do të jetë supersfida e javës së 31-të të Superligës.

Ky takim ishte programuar për t’u zhvilluar ditën e premte. Por, klubi i Kukësit në lajmërimin për këtë sfidë ka cilësuar se takimi do të zhvillohet të dielën, më datë 29 prill.

Klubi i Skënderbeut ka bërë kërkesë që kjo përballje të shtyhet për të dielën, pasi ditën e enjte (26 prill), klubi korçar ka seancën e gjyqit në Apel për dënimin që i dha UEFA me 10 vite përjashtim nga kompeticionet europiane.

Në gjyq janë thirrur edhe disa futbollistë të Skënderbeut që do të jenë dëshmitarë. Për këtë arsye, Skënderbeu ka kërkuar që ndeshja të mos luhet të premten, pra një ditë pas gjyqit që do të zhvillohet në Nion të Zvicrës.

Ndaj, takimi Skënderbeu-Kukësi do të luhet ditën e diel.