Risia e VAR në Botëror: Do të ketë shpjegim të vendimit për tifozët

Botërori Rusi 2018 do të shohë përdorimin për herë të parë të VAR në një aktivitet të kësaj rëndësie. Por FIFA nuk dëshiron as surpriza dhe as pakënaqësi e protesta në stadiume, ndaj ka bërë të ditur se do të jepen shpjegime për spektatorët e pranishëm.

“Sigurisht që e dimë që komunikimi në stadium dhe jashtë tij do të jetë i rëndësishëm. Ne do të kemi pamje grafike dhe përsëritje që do të shfaqen vazhdimisht në ekranet gjigante dhe në këtë mënyrë do të informojmë tifozët rreth përfundimit të provës video dhe rishikimit të saj”, tha një zëdhënës i FIFA-s.

Një person do të jetë përgjegjës për këtë çështje në Dhomën e Videos, që do të jetë në Moskë. Ai do të jetë personi që do të shohë gjithçka që sheh kryesori në ekranin e vogël gjatë periudhës së kontrollit të videove si dhe do të dëgjojë komunikimin mes tij dhe gjyqtarit të ngarkuar për të punuar me sistemin VAR.

Ky informacion dhe shpjegimi për vendimin do t’u kalohet komentatorëve televizivë si dhe personave të cilët janë përgjegjës për ekranet gjigante në stadiume, në mënyrë që tifozët të jenë në gjendje ta shohin shpjegimin pse u mor një vendim. Shpjegimi do të publikohet edhe në faqen e internetit të FIFA-s, në aplikacionin e Botërorit si dhe nga TV-të që transmetojnë ndeshjet. /vipsport.al/