Reagon Shoqata e Arbitrave për deputetin Braçe: Gjest i shëmtuar, duhet vetëkontroll!

Shoqata e Arbitrave ka reaguar sot në lidhje me një incident të ndodhur në fundin e ndeshjes së djeshme Partizani-Skënderbeu, ku deputeti Erjon Braçe ka bërë një gjest antisportiv, duke gjuajtur me çakmak drejt arbitrit kryesor Andi Koçi.

Kjo shoqatë ka publikuar një deklaratë për shtyp në faqen zyrtare të FSHF-së, ku dënon veprimin e deputetit Braçe:

“Shoqata e Arbitrave Shqiptarë reagon për veprimin antisportiv dhe aspak fair nga ana e Deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Braçe, i cili në përfundim të ndeshjes Partizani-Skënderbeu, e vlefshme për javën e 30-të të Kategorisë Superiore, ka goditur nga tribuna me një objekt arbitrin kryesor të takimit, në momentin e hyrjes për në dhomat e zhveshjes.

Shoqata e Arbitrave dënon një veprim të tillë nga ana e përfaqësuesit të ligjit në drejtim të arbitrave dhe njëherësh bën apel për më shumë gjakftohtësi dhe vetëkontroll, jo vetëm në këtë periudhë të mbetur ndeshjesh, por edhe në vijimësi. Ngjarja e fundit ishte e shëmtuar, aq më shumë kur të tilla veprime vijnë nga tribuna VIP. Të tilla situata nuk i përkasin aspak futbollit dhe për më tepër marrin një simbolikë antisportive kur ideohen dhe kryhen nga një përfaqësues i ligjit”.