Partizani, të hënën për të thyer “tabunë” e këtij sezoni

Sfida e të hënës ndaj Skënderbeut do të ketë një shije të veçantë për Partizanin. Të kuqtë luajnë për fitore, jo vetëm për çështje klasifikimi duke mbrojtur vendin e tretë që çon në Europë, por edhe për prestigj.

Skuadra kryeqytetase kërkon të mbyllë këtë sezon sa më mirë të jetë e mundur dhe ndonëse pa një trofe, dëshiron të tregojë se është e barabartë me çdo kundërshtar me të cilin është ndeshur. Por në sezonin aktual, të kuqtë nuk kanë arritur të mundin në Superiore vetëm një ekip, pikërisht Skënderbeun, i cili ka qenë rivali i tyre kryesor në këto vite të fundit.

Korçarët kanë një bilanc shumë pozitiv me të kuqtë në këtë edicion, pasi e kanë mundur dy herë në Korçë ndërsa kanë mbyllur në barazim pa gola duelin e fazës së dytë në “Selman Stërmasi”. Largimi të pamposhtur nga kryeqyteti për të konfirmuar hegjemoninë e plotë të përballjeve direkte në këtë sezon, është kthyer në objektiv edhe për ata, një arsye më shumë pse trajneri Daja nuk rrezikoi disa futbollistë që nuk ishin në gjendjen më të mirë fizike në ndeshjen e Kupës.

Ndaj dueli mes dy skuadrave pritet të jetë shumë interesant dhe i luftuar, edhe pse në Korçë janë të ndërgjegjshëm se sido që të shkojnë gjërat, ata do ta mbyllin sezonin duke ngritur të paktën një trofe, ndërsa në Tiranë, ky do të jetë thjesht viti i radhës ku edicioni mbyllet pa suksese të tilla. /vipsport.al/