Një “shuplakë” për FSHF-në nga Cana: Pa Europë, por me nder!

Vëllaznimi ka arritur në finalen e Kupës së Kosovës dhe tashmë do të përballet ndaj Prishtinës së Mirel Josës. Aktualisht, Vëllaznimi që menaxhohet nga ana e Agim Canës, babait të ish-kapitenit Lorik Cana, ndodhet në zonën e ftohtë të kampionatit kosovar. Finalja e Kupës duhej të kishte një rëndësi të dyfishtë për këtë skuadër, pasi nëse fitohet ky trofe logjikisht preket edhe Europa, por jo në rastin e Vëllaznimit.

Klubi kosovar ka të njëjtat probleme ashtu si edhe klubi i Tiranës që është diskutuar vetëm pak ditë më parë, teksa problemet me licencimin do t’i mohojnë kualifikimin në Europë. E ndërsa në Shqipëri probleme të tilla fshihen në mënyrat nga më të turpshmet nga ana e FSHF vetëm për të dërguar ekipet shqiptare në Europë, në Kosovë flitet në gjuhën europiane edhe nëse nuk shkohet realisht aty.

Agim Cana në një prononcim për “Sporti në KTV”, është shprehur në mënyrë të sinqertë se nëse fitohet Kupa ndaj Prishtinës, do të ishte vetëm një arritje simbolike për ekipin e Vëllaznimit, pasi nuk mund të arrihet dot në Europë.

“Për të thënë të vërtetën, me licencimin jemi vërtet shumë mbrapa, pasi jemi marrë me probleme të tjera dhe e kemi lënë mbrapa këtë pjesë. Nëse do të fitojmë Kupën e Kosovës, atëherë nuk do të kemi më asnjë përfitim tjetër në Europë, por vetëm një arritje simbolike për tifozët, nëse e marrim Kupën sigurisht”, është shprehur Agim Cana. /Klaudio Ndreca- vipsport.al/

more recommended stories