Në Kukës kthehen ultimatumet, lojtarët rrezikojnë rrogat

Eliminimi nga Kupa e Shqipërisë, kur dukej se Kukësi kishte siguruar finalen e turneut, ka kthyer përsëri situatën e paqartë në radhët e verilindorëve. Presidenti i klubit, Safet Gjici, ka qenë shumë i mërzitur pas eliminimit aq sa u ka vendosur një ultimatum lojtarëve duke kërcënuar me mospagimin e rrogave, si masë disiplinore ndaj paraqitjes zhgënjyese.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, Gjici ka theksuar se vendi i dytë në kampionat nuk ishte ngushëllim, por kërkonte nga ekipi i tij që të fitonte tre ndeshjet e mbetura deri në fund të këtij muaji.

“Nëse në tri ndeshjet e radhës në kampionat nuk marrim nënte pikë, lojtarët nuk do të marrin asgjë, Sa më mirë t’i trajtosh futbollistët, aq më keq është”, janë fjalët e Gjicit i cili ka zgjedhur kësisoj t’u kthehet ultimatumeve dhe paralajmërimeve për futbollistët si metodë motivimi për të kthyer ekipin në rrugën e duhur.

Me tre fitore radhazi në kampionat, Kukësi do të bënte të sigurt vendin e dytë në klasifikim, objektivi i vetëm që u ka mbetur kuksianëve të cilët mund të përfundojnë në Ligën e Kampioneve nëse mbetet në fuqi vendimi i UEFA-s për përjashtimin e Skënderbeut. /vipsport.al/