Marko Materaci: Të kisha thënë unë ato që tha Bufon…

Marko Materaci justifikon Xhanluixhi Bufon për shpërthimin emocional pas eliminimit ndaj Real Madrid me një nga penalltitë më të diskutueshme të historisë së futbollit. Ish-mbrojtësi i njohur i Interit dhe Italisë, mendon se futbollistët janë njerëz si të gjithë të tjerët dhe duhen mirëkuptuar edhe në raste të tilla.

“Duhet të kuptohen njerëzit në ato momente, poshtë fanellës ekziston një njeri, një zemër që rreh, gjak që rrjedh në vena. Unë respektoj atë që ka bërë Xhixhi”, ishin fjalët e tij.

“Kur jeton këto momente dhe sheh të të ikë nga duart një objektiv i rëndësishëm, mund të ndodhë. Pas pak kohësh do ta pyes nëse do t’i përmendë përsëri të njëjtat fjalë. Edhe unë kam gabuar shpeshherë, e rëndësishme është ta kuptosh dhe ndoshta një ditë mund të kërkojë falje, jemi qenie njerëzore”, theksoi ai duke bërë edhe një provokim të fundit.

“Do të kisha dashur të shihja nëse do të më ndodhte mua, se sa njerëz do të më kishin mbrojtur ashtu siç bënë me Xhixhin”, deklaroi Materaci. /vipsport.al/