Këtë radhë e kishte fajin anësori, 5 mijë euro gjobë për Taren

Sezonet e fundit kanë parë të zhvillohet një betejë e ndezur mes gjyqtarëve dhe skuadrës së Lacios, që ka kontestuar shpesh publikisht vendimet e “xhaketave të zeza” por edhe aplikimin me dy standarde të VAR. Edhe në ndeshjen e fundit, të fituar 4-3 ndaj Fiorentinës, Lacio ka reaguar publikisht duke e cilësuar skandaloz gjykimin ndaj kësaj skuadre.

Një prej personave që po vuan më shumë këtë situatë është Igli Tare. Drejtuesi shqiptar i Lacios ka akuzuar rregullisht gjyqtarët se po dëmtojnë punën që ka bërë ai për të ndërtuar këtë skuadër, duke i mohuar disa herë shanse të mira ekipit për t’u shkëputur nga ndjekësit dhe siguruar pjesëmarrjen në Champions League. Përballjet e tij me gjyqtarët i kanë kushtuar Tares gjatë këtij sezoni pezullime dhe gjoba, ndërsa një e tillë i ka mbërritur edhe sot në klub.

Këtë herë, Tare është ndëshkuar me një gjobë prej 5 mijë eurosh pasi ka ofenduar një vijërojtës. “Në fundin e pjesës së parë, në korridorin që çon në dhomat e zhveshjeve, ai i është drejtuar një asistenti me fraza ofensive dhe të papërshtatshme”, shkruhet në raportin që shoqëron gjobën për drejtuesin shqiptar. /vipsport.al/