Kërkesa / Tatimet duan dokumenta nga FSHF, ajo i drejtohet FIFA-s

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i ka dërguar zyrtarisht FSHF-së një kërkesë për tërheqje dokumentacioni për kontroll mbi tatimin në burim nga të ardhurat nga pagat, shpërblimet dhe bonuset e personave të punësuar nga institucioni i futbollit.

Gjithçka ka lindur nga një kërkesë zyrtare e bërë nga deputeti i PS, Erion Braçe, i cili ka kërkuar informacion nga Tatimet për tatimet që paguan FSHF për të gjithë të punësuarit e saj, apo për shpërblimet që jep për palë të kontraktuara, sipas dispozitave që parashikojnë ligjet.

Kësisoj, Tatimet kanë dërguar një shkresë në FSHF, ku kërkohet që t’u vihet në dispozicion lista e personave të punësuar nga viti 2010, deri në vitin 2018 si dhe të gjitha pagesat që u janë bërë mbi tatimin në burim për të ardhurat e tyre.

FSHF pritet të dalë me një qëndrim zyrtar rreth kësaj çështje, por sipas “Panorama Sport”, institucioni i është drejtuar me shpejtësi UEFA-s dhe FIFA-s duke e interpretuar si një ndërhyrje të politikës në sport, edhe pse situata në fjalë nuk është e ngjashme me atë të 10 viteve më parë. Asokohe, shteti kërkoi të bënte auditimin e plotë të institucionit, përfshirë edhe fondet ndërkombëtare, gjë që solli përjashtimin e Shqipërisë nga FIFA për 6 muaj. /vipsport.al/