Kapiteni alarmon Teutën: Barazimi mjafton ndaj Flamurtarit, diskutoj me drejtuesit të ardhmen

Teuta ka marrë një fitore të rëndësishme në javën e fundit të kampionatit, teksa ka mposhtur Vllazninë me rezultatin 2-0 në duelin e drejtpërdrejtë të mbijetesës.

Kapiteni i durrsakëve, Arbër Çyrbja është një ndër futbollistët e vetëm që ka treguar vazhdimësi gjatë gjithë sezonit te ekipi i Teutës. Në një intervistë për “RTSH Sport”, në prag të ndeshjes kundër Flamurtarit, Çyrbja është shprehur se edhe 1 pikë do të mjaftonte ndaj vlonjatëve.

“Fitorja ndaj Vllaznisë ishte shumë e rëndësishme për Teutën, megjithatë nuk ka mbaruar asgjë pasi do të luajmë edhe 7 takime të tjera. Për këtë arsye jemi duke u stërvitur shumë.

Flamurtari është një ekip shumë i mirë dhe zhvillon ndeshje të mira edhe në kohë krize. Ne do të mundohemi të marrim maksimumin, por edhe një barazim do të ishte rezultat pozitiv. Kemi biseduar të gjithë bashkë me ekipin dhe kemi vendosur që në këto takime të luajmë vetëm për fanellën.

Objektivi ynë sigurisht që është mbijetesa, prandaj do  t’i marrim ndeshjet hap pas hapi. E ardhmja ime? E rëndësishme është që Teuta të qëndrojë në Superiore. Në fundin sezonit do të bisedojë me presidentin dhe do të vendosim për të mirën”, është shprehur Çyrbja. /Klaudio Ndreca- vipsport.al/