Flet mbrojtësi serb i Luftëtarit: E kisha të vështirë fillimin në Shqipëri, por nuk jam penduar

Përveçse një lojë e krijuar për të argëtuar spektatorët dhe tashmë e kthyer në një biznes ku arkëtohen fitime marrëmendse, futbolli është kthyer edhe në pikën e vetme ku shpeshherë shkrihen kufijtë dhe tensionet mes shteteve të ndryshme.

Ky është edhe rasti i mbrojtësit serb të Luftëtarit, Ivan Jakovljeviç i cili është shprehur se kontakti i tij i parë me Shqipërinë ka qenë shumë i vështirë, por më pas çdo gjë ndryshoi për të sa i përket ambientimit në vendin tonë. Historia për mbrojtësin e Luftëtarit është paksa më e veçantë, pasi ka lindur në një nga zonët më të nxehta të konflikteve mes shqiptarëve dhe serbëve, në Mitrovicën e Veriut.

“Në fillim ishte paksa i vështirë kontakti im i parë me Shqipërinë, por më pas gjërat ndryshuan, pasi në sezonin e shkuar luanin disa futbollistë serb te Flamurtari të cilët më treguan shumë për Vlorën dhe dashurinë e këtij qyteti.

Po luaja në Bosnje dhe menaxheri im shqiptar më propozoi idenë për të luajtur në Shqipëri. Nuk jam penduar për zgjedhjen që kam bërë në vitin 2016 për të ardhur në këtë vend dhe nuk jam aspak i zhgënjyer.

Familja ime e pranoi vendimin tim për të ardhur në Shqipëri, madje babai më nxiti pasi kishte jetuar edhe ai në këtë vend përpara disa kohësh. Nga ana tjetër edhe gruaja me dy fëmijët e pranuan vendimin tim dhe më mbështetën pasi ky është profesioni im.

Në Vlorë kam luajtur një sezon, ndërsa te Luftëtari jam vetëm prej disa muajsh. Ndryshimet mes këtyre dy qyteteve janë paksa të vështira për t’u gjendur, megjithatë mund të them se Vlora është paksa qytet më i madh, por edhe në Gjirokastër mund të jetosh mirë. Nuk e di nëse do të luaj për shumë kohë këtu, kam edhe 1 vit kontratë me Luftëtarin dhe më pas do të bisedoj me drejtuesit e klubit për të marrë një vendim. Trajneri më i mirë që kam punuar në Shqipëri? Po përgjigjem me diplomaci, meqë më stërvit aktualisht, atëherë do të përmend emrin e Hasan Likës”, është shprehur Ivan Jakovljeviç për “RTSH Sport”. /Klaudio Ndreca- vipsport.al/