Duka si Miço Papadhopulli tani, president pa firmë e vulë

Vendimet e Asamblesë Zgjedhore të datës 7 shkurt nuk u regjistruan nga Gjykata, për mungesë dokumentacioni.

Një vendim i tillë bën që FSHF për momentin të mos ketë organe drejtuese legjitime.

Në lidhje me këtë temë, drejtori i “Vipsport.al”, Fation Shehu, në “Rubrikën Sportive” në RTSH deklaroi: “Afërsisht një javë pas zgjedhjeve, e gjithë dosja e Asamblesë Zgjedhore dërgohet në Gjykatë për t’u regjistruar, që të legjitimohen të gjitha vendimet që janë marrë.

Më datë 13 mars, pra pak ditë pasi ishte dorëzuar dosja në Gjykatë, ishte caktuar data kur do të merrej vendim për këtë dosje, nëse do të regjistrohej apo jo.

Gjyqtarja që kishte dosjen në dorëzim, i ka dhënë mundësinë FSHF-së që të plotësojë dokumentet që mungonin, duke i bërë një listë me kërkesa se çfarë duhet të sjellë.

Këto kërkesa janë:

1-Cilët janë anëtarët që kanë votuar?

2-Kush i ka deleguar, pra mandatet e delegimit?

3-Këta antarë që kanë votuar, a janë të regjistruar në Gjykatë apo në qendër kombëtare të biznesit? Nëse janë, kur janë regjistruar?

Afati i lënë nga gjykatësja për FSHF-në që të plotësonte këto dokumentacione ishte nga 13 deri në 26 mars.

Lënia e afatit të dytë bie në kundërshtim me deklaratën e FSHF-së që është munduar të manipulojë opinionin publik.

Më datë 26 mars, FSHF ka dërguar aktet e reja në Gjykatë. Pasi ka marrë këto akte, gjykatësja ka vënë re se një pjesë e anëtarëve që kanë votuar nuk janë të regjistruar as në Gjykatë as në QKB. Pra janë disa njerëz nga rruga që hyjnë dhe votojnë.

Një pjesë tjetër e anëtarëve janë regjistruar në Gjykatë dhe QKB pasi kishte kaluar afati për t’u deleguar. Pra FSHF ka bërë një manipulim për të pasur njerëzit e vet në votim të Asamblesë.

Pra, Gjykata pasi i dha një mundësi të dytë FSHF-së për të plotësuar dokumentacionin e duhur që mungonte. FSHF ia dërgoi, por janë dokumentacione që në asnjë shkallë gjyqësori nuk mund t’i zhbësh.

Aktualisht, personat që u zgjodhën më datë 7 shkurt nga Asambleja, zoti Armand Duka dhe anëtarët e KE-së, nuk janë të regjistruar, nuk kanë mandate, nuk kanë të drejtë firme, nuk kanë të drejtë të marrin vendime. Me batutë, mund të them se zoti Armand Duka nëse do ta zgjidhnim president nderi të FSHF-së ka të njëjtin status si Miço Papadhopulli, pra të shkojë të mbajë fjalime me miqtë e tij pranë FSHF-së, por nuk ka të drejtë të firmosë dhe të marrë vendime në emër të institucionit. Ai mund të jetë aq kamikaz sa ta bëjë një vendim të tillë, por Prokuroria merr masa penale, sepse kalon në falsifikim, shpërdorim dhe ka shumë akuza të rënda për faktin konkret.

Aktualisht kemi të bëjmë me një FSHF pa organe drejtuese, pa president dhe pa Komitet Ekzekutiv.

Aktualisht, veprimet që bëhen në FSHF mund të konsiderohen veprime jetike. Sekretari i përgjithshëm mund të firmosë rrogat e administratës, arbitrave dhe komisioneve juridike”.