E pabesueshme në “Selman Stërmasi”, Skënderbeu fiton në shtesë (VIDEO)

Nëse futbolli do të ishte si boksi, Partizani sot do të kishte marrë një fitore me pikë përballë Skënderbeut, Por në futboll, rëndësi ka kush shënon dhe në fund, golin e ka gjetur ekipi korçar me goditjen e vetme në kuadrat të ndeshjes.

Partizani ka dominuar ndeshjen, sidomos në pjesën e parë ku ka krijuar disa raste për shënim, duke vënë në vështirësi të mëdha prapavijën e Skënderbeut. Në pjesën e dytë, loja u balancua disi, por Skënderbeu vazhdoi të mos prodhonte raste para portës.

Dukej se do të përfundonte me një 0-0 të qetë, por nuk ndodhi kështu, pasi me goditjen e parë dhe të fundit të Skënderbeut për këtë sfidë në kuadrat, në minutën e 94-t të takimit, Dita shënoi golin e fitores 1-0 për ekipin e tij.

MINUTË PAS MINUTE

90’+5′ Mbyllet ndeshja me fitoren 1-0 të Skënderbeut.

90’+4′ GOOOL Skënderbeu, shënon Dita. Mesfushori përfiton nga një gabim i Hoxhës për të dërguar topin në rrjetë. 

90’+2′ Goditje dënimi për Skënderbeun nga e majta, topi harkohet në shtyllën e dytë ku Muzaka nuk arrin të devijojë drejt portës kundërshtare.

90′ Jepen 5 minuta shtesë deri në fundin e ndeshjes.

88′ Moment rrezikshmërie para portës së Partizanit. Një top nga e djathta gjen Lilajn të vetëm pak hapa larg portës, por goditja e tij është shumë e fortë dhe fluturon jashtë kuadratit.

87′ Trashi harkon nga krahu i majtë drejt Abdurrahimit në zonë, goditje e sulmuesit me kokë kalon mbi traversën e portës së ekipit mik.

84′ Vendimtare ndërhyrja e Alitit i cili bllokon një diagonale të Prognit për Abdurrahimin i cili po nisej i vetëm drejt zonës.

80′ Zbritje e shpejtë e Partizanit në të majtë, Abdurrahimi pason në qendër por as Çani dhe as Asani nuk ndjekin aksionin për të rrezikuar portën e Teqjes.

77′ Gjyqtari lejon që loja të rifillojë përsëri, por paralajmëron të kuqtë se nëse situata të tilla përsëriten, do të ndalojë ndeshjen.

76′ Ndërpritet për 3 minuta ndeshja pasi gjyqtari Koçi kërkon që të mos ketë më kore kundër lojtarëve korçarë dhe gjyqtarëve. Nga tribuna e tifozëve të Partizanit vërshojnë edhe disa sende.

72′ Zëvendësim edhe nga Daja, që improvizon në repartin e avancuar duke hequr Gavazajn për t’i bërë vend Ditës.

70′ Dy zëvendësime njëherazi për Partizanin, me Malën dhe Çanin që hyjnë në fushë në vend të Telushit dhe bardhit.

66′ Ritëm më i ulët në këto momente të lojës, për shkak të ndërprerjeve të shumta për faulle.

61′ Daja heq nga fusha Vilën, thuajse gjatë gjithë kohës spektator, për të hedhur në lojë Krasniqin.

59′ Aksion nga e majta për Skënderbeun me Vilën, i cili sheh zbritjen e Lilajt duke pasuar për mesfushorin. Por goditja e këtij të fundit nga distanca është shumë e fortë dhe kalon mbi traversën e portës së Hoxhës.

58′ Kontroll i gabuar me këmbë i portierit Teqja i cili largon sferën me vështirësi pas trysnisë së Abdurrahimit.

54′ Asnjë hapësirë për korçarët, të cilët qarkullojnë topin në prapavijë pa arritur të depërtojnë pranë portës së ekipit kryeqytetas.

50′ Ndërpritet për pak çaste takimi, pasi tifozët e Partizanit ndezin fishekzjarrë duke i hedhur disa në fushë.

47′ Gavazaj i dhuron një goditje dënimi pranë zonës të kuqve me një prekje topi me dorë. Godet Asani por topi përplaset në mur.

46′ Fillon pjesa e dytë, pa ndryshime në radhët e të dy skuadrave

Idriz Batha për “SuperSport” në pushimin e ndeshjes
“Po luajmë mirë, na mungon vetëm konkretësia para portës kundërshtare. Fatmirësisht po luajmë mire e shpresojmë të vazhdojmë kështu”.

Sabien Lilaj për “SuperSport” në pushimin e ndeshjes
“Është një pjesë e parë ku kemi qenë në vështirësi. Partizani është i karikuar shumë, nuk po dalim në manovrën tonë. Në pjesën e dytë shpresojmë të bëjmë më mirë”.

45’+2′ Mbyllet pa gola pjesa e parë e ndeshjes.

45′ Jepen dy minuta shtesë.

42′ Asani provon edhe me një gjuajtje nga distanca në krahun e djathtë, por nuk gjen kuadratin e portës korçare.

40′ Deri tani, tentativat e vetme të Skënderbeut kanë qenë disa pasime të gjata nga mbrojtja drejt sulmit, por Hoxha dhe prapavija e të kuqve nuk kanë lënë në asnjë çast treshen ofensive të korçarëve të tregojë vlerat e tyre.

37′ Asani bën një sprint nga mesfusha duke kaluar çdo kundërshtar që i del para me lehtësi dhe duke arritur të gjejë hapësirë për një gjuajtje nga e majta. Sfera devijohet nga një mbrojtës kundërshtar që bllokon goditjen e futbollistit të Partizanit.

36′ Progni jep një pasim interesant në qendër për Asanin por ndërhyrja e Alitit eviton një tjetër rrezik para portës së Teqjes.

32′ Kombinime të shpejta mes lojtarëve të Partizanit me Abdurrahimin i cili kontrollon në hyrje të zonës dhe me një goditje të shpejtë me kthesë provon të gjejë portën, por pa sukses.

26′ Abdurrahimi shënon në portën e Skënderbeut por gjyqtari e anulon për një faull të sulmuesit. Protesta të ekipit vendas por Koçi nuk ndërron mendje.

22′ Goditje dënimi për Partizanin, batha gjuan direkt në portë dhe Teqja devijon me vështirësi. Më pas topi harkohet përsëri në zonën e korçarëve ku Radas rrezikon autogolin me një devijim që përfundon jashtë, ngjitur me shtyllën e portës së ekipit mik.

21′ Teqja shpëton portën e Skënderbeut. Kthesë e shpejtë e Prognit brenda zonës duke iu shmangur mbulimit të mbrojtjes vendase, por gardiani reagon në mënyrë të shkëlqyer për të shpëtuar katërkëndorin e tij.

15′ Aksion i shpejtë i Partizanit në krahun e majtë, pasimi në qendër gjen Asanin i cili krijon aq hapësirë sa të tentojë portën e skuadrës korçare, por nuk gjen kuadratin me diagonalen e tij.

14′ Përplasje në mesfushë mes Bathës dhe Nimagës që shkëmbejnë fjalë më shumë se sa duhet, Koçi u tregon të dyve kartonin e verdhë.

11′ Goditje dënimi për Partizanin nga e majta, një dalje e portierit Teqja eviton një rrezik në portën e skuadrës mike që fiton në goditje këndi nga e cila nuk përfitojnë sulmuesit e ekipit vendas për të goditur portën.

8′ Vjen rasti i parë i ndeshjes. Abdurrahimi kalon lehtësisht mes mbrojtjes korçare dhe gjuan në portë, një devijim me fat i Teqjes shpëton portën e Skënderbeut.

7′ Nuk ia del dot Kardoso, shtrihet në fushë dhe largohet më pas me ndihmën e barelës. Në vend të tij futet Bardhi.

3′ Panik te Partizani, pasi Kardoso dëmtohet pas pak sekondash lojë. Në një kontrast në mesfushë ai dëmton gjurin duke sjellë ndërprerjen e ndeshjes. Bardhi del në nxemje por braziliani për momentin shtrëngon dhëmbët dhe kthehet në fushë.

1′ Fillon ndeshja me topin e parë të luajtur nga qendra nga skuadra korçare

Partizani-Skënderbeu 0-1
90’+4′ Dita

Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Belica, Gojkoviç, Trashi, Asani, Batha, Telushi (70′ Mala), Kardozo (7′ Bardhi) (70′ Çani), Progni, Abdurrahimi.
Trajner: Klevis Dalipi.

Skënderbeu: Teqja, Vangjeli, Radas, Aliti, Mici, Osmani, Nimaga (88′ Gripshi), Lilaj, Muzaka, Gavazaj (72′ Dita), Vila (61′ Ibrahimi).
Trajner: Ilir Daja

KV: Batha, Telushi, Progni, Ibrahimi / Nimaga, Osmani

Gjyqtar: Andi Koçi

Related Posts