Duro pas dorëheqjes: Nuk do t’i pëlqejë Idrizit, por Flamurtarin nuk po e lë atje ku e gjeta

Flamurtari ka humbur takimin e sotëm përballë Skënderbeut me rezultatin 0-2, duke u eleminuar në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë.

Pas një seri rezultatesh negative në kampionat, vlonjatët kanë marrë një tjetër goditje në këtë sezon. Por nuk mbaron këtu, në një intervistë për “Supersport”, Duro është shprehur se do të largohet nga drejtimi i Flamurtarit.

“Me keqardhje por marr një vendim të pakthyeshëm, nuk do të jem më trajner i Flamurtarit për vazhdimin. Duke parë rezultatet e fundit të këtij klubi dhe eleminimin në ndeshjen e sotme, atëherë unë vendos largimin tim nga drejtimi i këtij ekipi.

Nuk ka asnjë rrethanë të veçantë për largimin tim, skuadra ka rrëshkitur në fazën e tretë dhe kjo ka ardhur për shumë faktorë. Gjatë gjithë sezonit mund të them se faktori i parë kanë qenë arbitrimet, më pas dëmtimet e lojtarëve, ndërsa në fund janë edhe përgjegjësitë tona. Megjithëse ky vendim nuk do t’i pëlqejë Idrizit, por duhet të merrej ky vendim. Kjo u pa edhe në ndeshjen e sotme, teksa futbollistët kanë humbur besimin në lojën e tyre. Nuk duhet të harrojmë edhe kualitetet e Skënderbeut, pasi të kesh Souen në sulm, atëherë është më e lehtë për të gjithë trajnerët.

Flamurtari është pranë Kupave të Europës por unë nuk e përballoj dot këtë situatë. Kjo është më e mira për të gjithë. Kishte një ndryshim te Flamurtari pasi rezultatet e kohëve të fundit dhe eliminimi sot më bëjnë të mbaj përgjegjësi. Më vjen keq që po e bëj këtë pasi jam ndierë mirë këtu dhe kam pasur mbështetje nga stafi, tifozët drejtuesit e këtë e tregon fakti që kam qëndruar kaq gjatë. Kemi bërë mirë gjysmën e sezonit, por më ngel pishman që nuk bëra dot asgjë në periudhën e janarit për të blerë lojtarët që doja.

Flamurtarin e kam marrë 10 pikë pas Tiranës dhe të eleminuar në Kupë. Në atë sezon, Tirana ra nga kategoria. Tashmë po e lë ekipin vetëm dy pikë larg Europës dhe që ka arritur në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. Nuk është pak të jesh për 1 vit e gjysëm trajner i Flamurtarit”, është shprehur Duro. /Klaudio Ndreca- vipsport.al/