Çuditë e Shoqatës së Arbitrave, reagon nga FSHF-ja dhe fshihet kur ka dhunë

Për herë të dytë këtë sezon, Shoqata e Arbitrave Shqiptarë ka reaguar publikisht, duke dashur të mbrojë arbitrin Andi Koçi, pas incidentit me deputetin Erjon Braçe në fundin e ndeshjes Partizani-Skënderbeu.

Dhe për herë të dytë ka reaguar me anë të faqes zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit. Si ka mundësi? A nuk është kjo shoqatë e pavaruar nga FSHF-ja, siç pretendonte pak kohë më parë presidenti i saj, Tahir Kastrati?

Duhej të ishte e tillë dhe të reagonte nëpërmjet faqes së saj zyrtare dhe jo nëpërmjet FSHF-së. Po ashtu, duhej të reagonte në çdo rast, ku cënohet dinjiteti i arbitrave dhe kur ushtrohet dhunë ndaj tyre. Pse nuk reagon kjo shoqatë kur në stadiume të caktuara ka dhunë verbale dhe fizike, siç ishte rasti i fundit në Laç, në ndeshjen mes ekipit vendës dhe Kukësit? Ku ishte fshehur kjo shoqatë “e pavaruar” në këtë rast?

Pse nuk reagon kjo shoqatë në çdo rast, kur ndaj pjesëtarëve të saj ka akuza të drejtpërdrejta, por reagon vetëm kur këto akuza vijnë nga klubet opozitare të FSHF-së, siç ishte rasti i Flamurtarit kohë më parë, kur trajneri Shpëtim Duro akuzonte dy arbitrat të saj si kamikazë. Akuza pati jo më larg se dy ditë më parë për Kridens Metën nga trajneri i Kukësit, Peter Pakult, i cili e quajti atë skandaloz, por nuk u pa ndonjë reagim i shoqatës “së pavarur” në faqen zyrtare të FSHF-së.

Pse dy standarde? Pse fshihet Shoqata e Arbitrave Shqiptarë, kur ka dhunë? Janë çudi që vetëm në Shqipëri ndodhin… Vipsport.al