Braçe, mesazh Dukës për kontrollin e Tatimeve: Më pëlqen që e ke frikë ligjin

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka thumbuar sot presidentin e FSHF-së, Armand Duka, pasi u publikua lajmi se me kërkesën e tij, Drejtoria e Tatimeve kishte kërkuar dokumentacion nga FSHF rreth tatimit mbi të ardhurat e punonjësve të këtij institucioni.

Braçe e ka cilësuar si panik të kreut të FSHF-së dhe frikë ndaj ligjit, ndërsa ka shpjeguar se gjithçka është plotësisht Ligjore dhe e bazuar në Kushtetutë, pa shkelur asnjë lloj dispozite duke hedhur poshtë pretendimet e FSHF-së për ndërhyrje politike pasi kjo e fundit e ka dërguar këtë kërkesë në UEFA dhe FIFA.

FJALËT E BRAÇES

Mirëmëngjes Don Duka!!

Çfarë ke?

C’është ky panik kaq i madh?

Nga se je trembur?

Ti sikur je i ligjshëm, i ndershëm, i pastër, mbi të gjitha transparent?!

Çfarë ka ndodhur që je shqetësuar kaq shumë?! Ke një përgjigje?

Pooo e vërtetë është, prej më shumë se dy muajsh, kam kërkuar informacion për një çështje që ka të bejë me të ardhurat e krijuara nga tatimi mbi të ardhurat e ligjshme për çdo të punësuar, të kontraktuar në Federatën Shqiptare të Futbollit!

Kërkesa është thelbësisht e ligjshme, bazuar në Kushtetutën e vendit, rregulloren e Kuvendit, pika ime e referimit si deputet dhe kryetari i komisionit për ekonominë e financat!

Pra nuk kam urdhëruar kënd, nuk është ne tagrin tim të urdhëroj, kam kërkuar të disponoj këtë informacion!

Mund ta kisha adresuar këtë kërkesë edhe tek ty, direkt, por nuk më intereson ti, më intereson zbatimi i ligjit njësoj për të gjithë dhe, pa as më të voglin diskutim, më interesojnë të ardhurat në buxhetin e shtetit.

Është detyrë e imja kjo.

Mendoja se deklarime të tilla, ti në krye të FSHF i bëje online, si të gjithë, madje siç në bizneset e tua të shumta.

Por nga përgjigja e parë marrë nga Tatimet, më rezultoi se ti nuk e bën këtë për të gjithë.

Ndaj jam detyruar të detajoj informacionin që kërkoj, duke kërkuar listën e të punësuarve-e bën edhe biznesi i vogël këtë, listën e të kontraktuarve-e bën cilido tatimpagues këtë, shumat e paguara si rroga, shpërblime, bonuse etj, përfshirë shumat në zbatim të kontratave si dhe tatimin në burim paguar për to në baze të ligjit përkatës për të ardhurat personale.

Janë të ardhura të tatueshme të detajuara në ligj këto.

Çfarë ka këtu për panik?

Përse je trembur Armand?

Nuk më intereson hiç sa para merr e ndan ti, po fare.

Më intereson a e merr apo jo buxheti i shtetit tatimin që parashikon ligji për këto të ardhura!

Pra, çdo gjë është e ligjshme nga germa e parë deri tek e fundit!

Paratë që t’i besojnë të tjerët, përdori si të duash kur komuniteti që ti përdor të lejon të bësh qejf dhe as që më duhet.

Për paratë e tatimeve të përcaktuara me ligj do përgjigjesh njësoj si ai biznesi i vogël aty rreth e rrotull selisë tënde!

Më pëlqen që e ke frikë ligjin Armand!

Por në fillim bindju, zbatoje deri në qindarkën e fundit!