Batuta e çuditshme e Klop: Nuk do na dallojnë nëse dalim në stërvitje lakuriq

Jurgen Klop është i bindur se të gjithë janë aq të fokusuar te Mohamed Salah, sa është tallur se askush nuk do ta kishte mendjen nëse skuadra e tij do të dilte lakuriq në stërvitjen para ndeshjes kundër Mançester Sitit në Ligën e Kampioneve.

Trajneri i Liverpulit ka parë se si Salah është kthyer brenda pak muajsh në yllin e futbollit në Angli, duke shënuar 40 gola në të gjithë kompeticionet dhe duke qenë rreziku kryesor për prapavijën e Sitit në duelin që i siguroi ekipit të tij kalimin në katërshen më të mirë.

“Ky është një grup i mirë lojtarësh dhe me Mo, të gjithëve u pëlqen gjithë kjo zhurmë që po krijohet rreth tij. Kur ne po dilnim në fushë për stërvitjen e Ligës së Kampioneve para ndeshjes ndaj Mançester Sitit, unë u thashë ‘Ejani të gjithë, të dalim lakuriq në fushë pasi askush nuk do ta kuptojë – ata të gjithë po shohin Mo’.

Nuk ka asnjë lloj problemi nga kjo vëmendje. Dhe Mo është shumë mirënjohës. Tani do të shkojmë në Romë dhe nuk mendoj se do të ketë më pak zhurmë. Por gjithçka është në rregull për ne”, tha trajneri i Liverpulit. /vipsport.al/