Apeli në UEFA / Probleme me dokumentet, Skënderbeu dërgon një “ish” në Zvicër

Ndryshon përsëri plani i Skënderbeut për dëshmitë para Komisionit të Apelit në UEFA, ku korçarët shpresojnë që të ndryshojnë vendimin e dhënë pak kohë më parë për përjashtimin e tyre nga aktivitetet ndërkombëtare për 10 vite.

Klubi korçar kishte planifikuar që të dërgonte në zyrat e UEFA-s si dëshmitarë dy futbollistë nga kontingjenti i tyre, arsye për të cilën insistuan që ndeshja ndaj Kukësit të shtyhej nga e premtja që ishte planifikuar fillimisht nga FSHF. Sipas planit të klubit, bashkë me drejtuesit e skuadrës, në UEFA do të flisnin si dëshmitarë edhe Sabien Lilaj me Bakari Nimagën, të cilëve do t’u bashkohej edhe Bledi Shkëmbi si ish-kapiten i skuadrës në vitet për të cilat klubi akuzohet se ka manipuluar ndeshje.

Por gjërat kanë ndryshuar në mënyrë të papritur, pasi vetëm Lilaj dhe Shkëmbi do të udhëtojnë drejt Zvicrës për t’u shfaqur para panelit të UEFA-s. Nimaga ka probleme me dokumentet dhe nuk mund të udhëtojë, ndaj dëshminë e tij do ta japë nga Korça, me një video-konferencë.

Dëshmitë e lojtarëve dhe Shkëmbit janë kërkuar nga avokatët e Skënderbeut, të cilët mendojnë se emra të tillë mund të tregojnë më mirë sakrificat që kanë kaluar në radhët e ekipit korçar dhe se akuzat ndaj tyre janë të pabaza. Lilaj dhe Nimaga janë futbollistët të cilët shënuan në fitoren 3-0 ndaj Sporting të Lisbonës, por emrat e tyre nuk përmenden mes futbollistëve të dyshuar në raportet e UEFA-s. E ndryshme është situata e Shkëmbit, i cili shpesh përmendet si një prej lojtarëve që bënte urën lidhëse mes presidentit Takaj dhe grupit të futbollistëve. /E.K./vipsport.al/