Viti 2018 bëhet makth për Flamurtarin. Pa Kupën do të ishte katastrofë

Viti 2018 duhej të kthente Flamurtarin në një nga skuadrat dominuese të futbollit shqiptar. Pas pjesës së parë të sezonit ku dukeshin në gjendje të luftonin me këdo si të barabartë, e në disa momente të kërcënonin edhe Skënderbeun europian, pritej që skuadra e Duros të dhuronte shkëndija në vijimin e edicionit.

Por kanë mjaftuar më pak se 2 muaj aktivitet që vlonjatët të shfaqin më shumë hije, sesa shkëlqim. Që nga data 26 janar e deri dje, Flamurtari ka zhvilluar 12 ndeshje zyrtare dhe bilanci nuk është aspak pozitiv. Edhe pse viti filloi me dy fitore të njëpasnjëshme ndaj Partizanit në kampionat e Kupë, për të vazhduar me barazimin në Kukës, ecuria e mëtejshme e ekipit la shumë për të dëshiruar.

Pas këtyre tre ndeshjeve të para, vlonjatët kanë fituar vetëm një tjetër sfidë, atë ndaj Lushnjës së vendit të fundit, ndërsa në duelet e tjera, në kampionat e Kupë, regjistrojnë vetëm barazime e humbje. Në total, bilanci i vitit 2018 regjistron 3 fitore, 3 barazime e 6 humbje, absolutisht i papranueshëm për standardet e kërkuara dhe duke parë investimin që është bërë për të ndërtuar skuadrën.

Vlonjatët, të cilët para fillimit të vitit e shihnin veten në garë me kreun e renditjes, tani janë 5 pikë larg vendit të tretë që të siguron Europën. Për momentin, në radhët e klubit kjo po cilësohet vetëm si një “krizë”, e justifikuar nga mungesat, dëmtimet, pezullimet dhe gjykimet tendencioze të gjyqtarëve. E vetmja gjë që shmang përmendjen e fjalës “katastrofë” është se ekipi mbetet në garë për të fituar Kupën e Shqipërisë, që është kthyer në objektivin kryesor të vlonjatëve. Nëse nuk arrihet, në verë nuk është çudi që klubi të përjetojë revolucionin e radhës. /vipsport.al/