Tifozët e Granadës kundër Manajt: Turp! Mori të verdhë që të ikte në Shqipëri

Rei Manaj nuk po luan titullar te Granda, por edhe atëherë kur hyn në fushën e lojës, bëhet shpejt objekt polemikash nga vetë tifozët e skuadrës së tij. Pas humbjes së sotme 2-1 ndaj Real Oviedos, tifozët në rrjetet sociale kanë kritikuar ashpër Manajn për atë që kishte bërë në minutat e fundit të sfidës, kur u aktivizua nga trajneri.

Manaj u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 96, ndërsa kishte shkaktuar disa faulle radhazi në ato minuta që ishet aktivizuar. Sipas tifozëve të Granadës, lojtari e ka bërë gjithçka me dashje pasi dëshironte që të pezullohej në takimin e radhës, meqë për të ky ishte kartoni i pestë.

Tifozët mendojnë se duke parë dëmtimet e dy sulmuesve kryesorë, klubi do t’i kërkonte sulmuesit të qëndronte në Spanjë për takimin e radhës ndaj Numancias të të shtunës, duke mos iu bashkuar ekipit kombëtar U21. Ndaj Manaj e ka kërkuar me ngulm të verdhën derisa e mori për të udhëtuar drejt Shqipërisë, duke vonuar lojën derisa gjyqtari ia dha kartonin.

“E turpshme ajo e Rei Manajt. Nuk u ndal derisa pa kartonin e verdhë. Çfarë lecke, nuk di çfarë emri t’i vë kësaj të sotmes”, shkruante një nga tifozët e Granadës në rrjetet sociale, mendim që  kanë ndarë edhe shumë të tjerë pas tij. /vipsport.al/