Teuta reagon për parashikimin e Mziut: Nuk është ashtu siç flitet, kërkojnë të sjellin kaos

Kryetari i Bashkisë së Kamzes, Xhelal Mziu, është shprehur për emisionin “Fair-Play” që transmetohet në “News 24”, se takimi që do të luhet mes Teutës dhe Laçit do të përfundojë me fitoren e durrsakëve, duke treguar kështu faktin se rezultati i këtij takimi është i paracaktuar.

Nëpërmjet një reagimi në “Facebook”, klubi i Teutës shprehet se këto akuza nuk kanë asnjë bazë, ndërsa kanë për qëllim të sjellin kaos përpara ndeshjes me Laçin.

Reagimi i plotë

“Janë të gjitha fjalë pa asnjë bazë, fjalë të thëna vetëm për të shpërqendruar ekipin dhe për të sjellë kaos përpara ndeshjes kundër Lacit. Jemi duke menduar vetëm për këtë takim dhe të gjithë jemi të përqendruar për tu ngritur sa më lartë në rënditje këto fjalë nuk na shqetësojnë aspak, pasi ndeshja nuk do të jetë ashtu siç flitet.

Tani jemi të përqendruar te ndeshja e radhës dhe këto fjalë janë vetëm zëra, që përpiqen të prishin harmoninë tonë. Per Teuten fitorja eshte detyrim dhe, me sa duket, dikujt kjo nuk i pëlqen.

Zyra për shtyp

KF Teuta