Stërvitja e cunguar, Panuçit i mungon prapavija

Ekipi Kombëtar ka zhvilluar gjatë ditës së sotme stërvitjen e parë në prag të ndeshjes miqësore përballë Norvegjisë, e cila do të luhet më 26 Mars në “Elbasan Arena”. Të grumbulluar në kompleksin “Tropikal”, grupi i drejtuar nga tekniku Panuçi, është paraqitur gjatë ditës së sotme me 3 mungesa të rëndësishme.

Sipas asaj që raporton “Supersport”, mbrojtësi Berat Gjimshit është detyruar të largohet nga grumbullimi për shkak të një fatkeqësie familjare.

Në ditën e parë të stërvitjes ka munguar edhe Elseid Hysaj, i cili ka marrë leje për t’u larguar drejt qytetit të Shkodrës, ndërkohë që aryset e këtij largimi nuk bëhen të ditura.

Shqetësime ka shfaqur edhe portieri i parë, Etrit Berisha, i cili ështe detyruar të kryejë një vizitë mjekësore më të specializuar, duke mos u stërvitur gjatë ditës së sotme.

Me shumë mundësi në portë do të shohim portierin Thomas Strakosha, duke qenë se është vetëm një ndeshje miqësore dhe stafi i Kombëtares nuk duan që ta rrezikojnë Berishën. Forma e mirë që Strakosha po kalon në kampionat, mund t’i japë siguri teknikut Panuçi. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/