Skandali/ Luajnë poshtë telave të korrentit, FSHF rrezikon jetën e futbollistëve

Federata Shqiptare e Futbollit rrezikon çdo javë jetën e qindra futbollistëve që shkelin fushat e lojës në Kategorinë e Dytë dhe në futbollin e moshave duke prodhuar skandalin e radhës të një institucioni për të cilin edhe jeta e futbollistëve ka kaluar në plan të dytë përpara përfitimeve personale apo lidhjeve klienteliste.

Çdo javë, në fushën e kompleksit “Olimpik” të Yrshekut zhvillohen dhjetra ndeshje futbolli, nga Kategoria e Dytë, te moshat dhe futbolli i femrave. Të gjitha aktivitetet janë të organizuara dhe të licencuara nga FSHF në mënyrë skandaloze pasi kushdo që luan në një fushë të tillë, rrezikon seriozisht jetën. Siç shihet qartë nga fotot, në krahët e fushës gjenden shtylla të tensionit të lartë dhe mbi kokat e futbollistëve kalojnë kabllo korrenti të cilat janë rrezik për këdo, jo thjesht për futbollistët për të cilët fatkeqësisht është kthyer në normalitet të luajnë poshtë tyre.

Në mënyrë krejtësisht të papërgjegjshme dhe mospërfillëse ndaj rrezikut që i kanosin jetës së futbollistëve dhe futbollisteve, FSHF ka licenscuar këtë fushë për të zhvilluar aktivitete të ndryshme, një absurditet që nuk ndeshet në asnjë vend tjetër të botës. Për më tepër, institucioni që drejton futbollin në vendin tonë organizoi vetë Kupën e Shqipërisë për të rinjtë dhe atë për femra pikërisht në këtë kompleks, duke mospërfillur rrezikun për jetën e atyre që zbritnin në fushë.

Skuadrat e futbollit shqiptar kanë filluar ta kuptojnë atë që u kanoset sa herë shkelin në atë terren sportiv dhe disa prej tyre kanë bërë kerkesa zyrtare në FSHF që t’u gjendet sistemim tjetër. Por ashtu siç pritet nga një institucion i cili mendon pak për zhvillimin e futbollit në kushte normale, përgjigjja ishte që ndeshjet të luheshin dhe fusha në fjalë është cilësuar e ‘licencuar sipas standarteve që kërkon kategoria”. /vipsport.al/