Rënia, po aq afër sa Europa. Te Kamza bien këmbanat e alarmit

Situata te skuadra e Kamzës ka ndryshuar në mënyrë drastike në 5 ndeshjet e fundit të ekipit të drejtuar nga Ramadan Ndreu. Skuadra dukej shumë pranë Europës dhe ecuria që po tregonte, duke luajtur si e barabartë ndaj kujtdo dhe duke marrë pikë ndaj çdo kundërshtari në kampionat, kishte rritur ambiciet.

Por në 5 javët e fundit, pretendimet që kishte ekipi për të luftuar për Europën u zhduken. Humbjet me Teutën, Luftëtarin dhe Laçin, si dhe barazimet me Vllazninë dhe Flamurtarin, bënë të qartë se Kamza në këtë sezon duhet të kthehet të përqendrohet te objektivi fillestar, ai i mbijetesës dhe të mos mendojë Europën.

Në fakt, distanca që Kamza ka ndaj vendit të tretë që garanton Europën tani është 8 pikë, po aq sa vendi i parafundit në renditje që mbahet nga Teuta dhe që të dërgon në Kategorinë e Parë. Situata është alarmuese për faktin se në këtë cikël prej 5 ndeshjesh Kamza ka marrë 2 pikë, ndërsa Teuta 8 e Vllaznia 5. Tashmë në klub e kanë të qartë se duhet të bëhen gati për të vuajtur në javët e mbetura të Superiores, ku rreziku i përfshirjes në luftën për mbijetesë ka filluar rë bëhet shumë real.

Ndaj nuk është rastësi që kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, akuzoi se po bëhen aleanca në dëm të skuadrës së tij dhe paralajmëroi se në ndeshjet e radhës do të kishte marrëveshje mes ekipeve. /vipsport.al/