Përplasen drejtuesit, derbi Milan-Inter “ndizet” përpara kohe

Milani dhe Interi do të përballen me njëra-tjetrën me 4 prill, por mesa duket kjo datë nuk i ka pëlqyer drejtuesve të Milanit, për arsye se është ditë e orar pune dhe do të jetë e vështirë për tifozët që të mbushin stadiumin.

Marko Fasone, administratori i Milanit u shpreh se zikaltërit e Interit janë bërë shkak që derbi të luhet në atë datë, pasi kuqezinjtë kishin propozuar një ditë tjetër.

“Ne donim që derbi të luhej më 25 Prill ose më 1 Maj, pra në ditë festash, që të krijonim kushtet për një pjesëmarrje maksmimale në shkallët e stadiumit. Gjithsesi, ka një rregull që i jep të drejtë Interit ta mohojë këtë gjë dhe zikaltrit kështu bënë. Jam shumë i zhgënjyer”, u shpreh Fasone.

Nga ana tjetër, kanë reaguar drejtuesit e Interit, të cilët janë shprehur se kanë respektuar vetëm rregulloren e kampionatit duke hequr përgjegjësinë nga vetja. Shefi i klubit të Interit, Alesandro Antonelo u shpreh se tifozët do ta mbushin stadiumin, pavarësisht datës se kur do të luhet derbi.

“Nuk e kuptoj pse duhet të bëhet problem mediatik një çështje për të cilën vendosi rregullorja. Federata zbatoi rregulloren për të gjitha ndeshjet e shtyra pas vdekjes së Astorit dhe pjesëmarrja e tifozërisë nuk na u duk shkak për të shkelur rregulloren. Tifozët do ta mbushin ‘San Siron’ edhe në këtë derbi”, u shpreh shefi i Interit, Antonelo. /Erjon Allaraj- vipsport.al/

more recommended stories