Panuçi e thotë shqip: Nuk më duhen në Kombëtare lojtarë që nuk kanë by***

Trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, ka dalë para pak minutash në konferencën e shtypit, ku së pari ka folur në lidhje me çështjen e kapitenit Ansi Agolli, me të cilin, pavarësisht diplomacisë, duket se i ka mbyllur llogaritë:

“Në tetor Agolli mbush 36 vjeç, në momentin që fillojnë eleminitatoret. Duhet të shohim pozicionin e tij, sepse këtu vendos shumë mosha. Kam folur me Agollin dhe i kam thënë se, nëse do të kem nevojë, e kam në konsideratë atë.

Por në tetor do të jetë 36 vjeç dhe 38 vjeç në Europianin e 2020-ës. Këtë ia kam thënë edhe lojtarit. Është shumë profesionist dhe dhe do të doja ta stërvitja kur te ishte 20 vjeç. Por tani kam një detyrim të kërkoj diçka tjetër”, – theksoi trajneri italian.

Më tij ai ka folur për lojtarët e kampionatit shqiptar dhe pse ka grumbulluar Sadikun dhe jo Gurin:

Për lojtarët që do të zbresin në fushë, do të jenë ata që kanë më shumë ndeshje dhe duhet të prisni për të parë kush luan. Llogaritë për kapitenin bëjini vetë. Grupi është duke u formuar dhe besoj e keni kuptuar. Natyrisht që deri në qershor do të provoj lojtarë 26-28 vjeç, që do të jenë baza.

E kam vendosur pak a shumë, por do kemi edhe lojtarë të tjerë. Sadikun e njoh, por them se është problem, sepse po luan pak. Po punojmë fizikisht me të. Kemi në sulm Cikalleshin dhe Balajn, me karaktersitika të ndryshme me njëri-tjetrin.

Guri? Ishte e drejtë të grumbulloja Sadikun, pasi Kombëtarja është një mundësi më shumë dhe një stimul, si Aliji që gjeti ekip nëpërmjet Kombëtares. Ai që nga janari luan vetëm 30% të ndeshjeve dhe është i mirë në zonë, prandaj duhej.

E ndjek kampionatin shqiptar, pasi jam trajner i Kombëtares. Abazaj dhe Gavazaj më pëlqejnë, sepse janë lojtarët e duhur për mënyrën tonë të të luajturit. Ata janë lojtarë shumë të mirë një kundër një. Po luajnë shumë mirë, prandaj e meritonin një çmim. Duhet parë si do të luajnë me Kombëtaren. Kush bën mirë në kampionat, e grumbulloj. Nuk kam asnjë kompleks në këtë drejtim.

Zhegrova

Kemi folur me të dhe ishte i gatshëm të vinte te Shqipëria, por në momente të tilla prindërit janë shkatërrimi i lojtarëve.

Bujar Lika

Nga fillimi i vitit është një lojtar i Grasshopersit. Kam grumbulluar shpesh Hysajn dhe Balliun dhe në rastin konkret vendosa të lë jashtë Balliun dhe të ftoj pikërisht Likën.

Do më pëlqente të kisha 50 lojtarë shumë të mirë. Sa më shumë lojtar të mirë të kem, do kem më pak mundësi për të gabuar.

Ndryshe nga trajneri paraardhës, dua më shumë të fitoj se të kem lojë të bukur. Në fillim kishim më pak kualitet, më pas ftuam Qakën dhe Lilajn, ndërkohë që kemi edhe Ramadanin dhe Likën. Lojtarë si Lila, në 30 minutat e fundit, kur ne krijojmë rënie, janë shumë të nevojshëm.

Marrëdhëniet me Bushin

Për sa i përket ekipit kombëtar, ne duhet të jemi të lumutr. Për Ramadanin ishte njoftuar, por kishim dyshime për Abazajn deri ditët e fundit. E mirëkuptoj Bushin, por dua të shoh lojtarët. Vendosa që Ramadanin t’ia lë herën e kaluar Bushit, por tani kam obligimin t’i shoh lojtarët para eliminatorëve.

Natyrisht, kemi krijuar bazën me 20 futbollistë, por problem mbetet zëvendësuesi i Agollit, pasi mosha e tij më bëri ta lë jashtë. Duhet të riskoj për të gjetur zëvedësuesin e tij. Shumë lojtarë po luajnë pak. Sadiku, Mavraj, Latifi, Lila e Cikalleshi po luajnë shumë pak. Duhet të kemi shumë kohë për t’u përgatitur, sepse të gjithë kanë luajtur nga 25-30% të ndeshjeve dhe nuk janë stërvitur mjaftueshëm.

Lojtarët duhet të fitojnë minutazhin me ekipet e tyre dhe të stërviten fort. Nuk kam kohë në dispozicion, por nuk po them që ky është një justifikim. Shpresoj të thërras lojtarë të rinj, disa nuk kanë ardhur nga dëmtimet, por disa edhe nuk kanë dashur të vijnë. Abrashi dhe Veseli janë të dëmtuar. Nuk tërhiqem dhe them që me këtë grup lojtarësh mund të bëjmë shumë mirë, pasi ky kontigjent është shumë i mirë.

Portieri titullar?

E bukur të zgjedhësh kur portierët janë në nivel të lartë. Kam një ide timen. Ndeshja me Norvegjionë dhe në ato dy që do të luajmë në maj, do t’u jap mundësi të gjithëve. Nga kjo anë jam i qetë.

Refuzimi i lojtarëve?

Refuzim ishte rasti i Zhegrovës, i cili në fillim tha “po” dhe më pas tha “jo”. Nuk mund të them emra të tjerë, sepse duhet respektuar zgjedhja e tyre. Kam djem dhe lojtarë të shkëlqyer dhe, nëse mua më thonë “jo”, ata nuk vijnë më në Kombëtare. Nuk më duhen lojtarë, të cilët nuk kanë by*** të luajnë.