Notat e “Eurosport” / Hysaj dhe Strakosha lanë për të dëshiruar

Ekspertët e portalit të rrjetit të njohur televiziv “Eurosport” gjykojnë se paraqitjet e sotme të futbollistëve të përfaqësuese shqiptare, Elseid Hysaj dhe Thomas Strakosha kanë qenë jo edhe aq të mira.

Portieri është ai që kritikohet më shumë, pasi në ndeshjen përballë Bolonjës, goli i skuadrës kundërshtare erdhi pas një pasigurie të tij. “Gjuajtja e Xhemajlit është e fortë, por qendrore dhe ai ndërhyn në mënyrë jo të saktë. Për t’u riparë”, shkruan portali i “Eurosport”, që i vendos notën 5,5.

Edhe mediat e tjera italiane kanë kritikuar Strakoshën për golin, por sigurisht që duke e krahasuar me mrekullitë që ka dhuruar gjatë sezonit, askush nuk ka dyshime për cilësitë e tij dhe thjesht e shohin si një pavëmendje të rrallë të tij.

Sa i përket Hysajt, në fitoren e Napolit ai cilësohet ndër lojtarët më të dobët në fushë, me notën 5,5 që mori përballë Xhenoas. “Fajtor pasi lë hapësira për Hiljemark ndërsa ka pak cilësi kur del para. Në fundin e ndeshjes tregon vështirësi përballë Laksalt”, shkruan “Eurosport”. /vipsport.al/