Mziu: Vendosni baste, fiton Teuta ndaj Laçit. Kapiteni Çyrbja: Mos më bëni të qesh…

Teuta po lufton këtë sezon për të mos rënë nga Superliga, ndërsa fitorja ndaj Lushnjes e ka afruar me vetëm 1 pikë nga Vllaznia.

Një nga lojtarët që ka spikatur këtë sezon me durrsakët, Arbër Çyrbja shprehet në një intervistë për “Vipsport.al” se “djemtë e detit” i kanë të gjitha mundësitë për të mbijetuar.

Kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu në emisionin “Fair-Play” deklaroi: “Vini baste që në sfidën Teuta-Laçi fitojnë durrsakët”, ndërsa kapiteni i Teutës, Çyrbja nuk ndihet i shqetësuar nga këto fjalë, duke u shprehur: “Mos më bëni të qesh”.

-Fitorja ndaj Lushnjes e ka afruar Teutën edhe më shumë me objektivin për të lënë vendin e parafundit në renditje. Si është gjendja e skuadrës, a ndihet optimizmi në ekip?

-Tri pikët kundër Lushnjes i ka bërë shumë mirë skuadrës, sepse na ka rritur moralin dhe na ka kthyer buzëqeshjen. Ishte një fitore që erdhi në momentin e duhur.

-Lufta për mbijetesë është bërë më e egër se kurrë. Sa shpresoni te shpëtimi i Teutës?

-I kemi të gjitha mundësitë për të shpëtuar. Jam shumë optimist se do t’ia dalim.

-Si e shihni përballjen e radhës në kampionat, atë kundër Laçit?

-Ndeshje shumë e fortë. Por, e kemi detyrim fitoren në fushën tonë. Nuk na falen më gabimet.

-Në fakt, Laçi po kalon një moment pozitiv. I druheni ecurisë së kurbinasve?

-Mendoj se me forcën e grupit, arrihet gjithçka. Ne do bëjmë maksimumin për të marrë tri pikët, sepse ky është qëllimi i vetëm.

-Ka shumë spekulime se Teuta do të fitojë ndaj Laçit, ndërsa kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu deklaroi: “Vini baste që fitojnë durrsakët”. Ndonjë koment?

-Mos më bëni të qesh. Edhe me Lushnjen ashtu u tha para ndeshjes, por fituam me shumë mund, në minutën e 94’. Në fakt, çdokush ka të drejtën e fjalës sot. Por, do t’ia lëmë fushës të vërtetojë se çfarë ndeshje do të jetë.

-Në aspektin personal, këtë sezon keni spikatur te Teuta. Sa e shton kjo gjë, përgjegjësinë tuaj në ekip, shtoji dhe faktin se jeni kapiten i skuadrës?

-Unë përgjegjësinë e kam pasur të lartë edhe kur nuk kam qenë kapiten, sepse jam ndër lojtarët e vjetër në ekip. Përveç kësaj, unë kam qenë pjesë e Akademisë së Teutës dhe kështu kam shumë përgjegjësi.

-Te Teuta ka spikatur çdo sezon të paktën një lojtar, që më pas është larguar drejt skuadrave “big” në Shqipëri, ose ka nisur ndonjë aventurë jashtë vendit. Mendoni se në fund të sezonit do të jetë radha juaj për një gjë të tillë?

-Shpresojmë ta kem një fat të tillë. Ka ende kohë deri në fund të kampionatit dhe besoj se do e gjejmë një zgjidhje me presidentin për të mirën time. Por, si fillim do të jap maksimumin për të shpëtuar të gjithë bashkë Teutën./Vipsport.al/Andi TANKU