Musolli: Pakulti më kërkon të gjendem edhe në sulm, dua të bëhem “Toti i Kukësit”

Mesfushori i Kukësit, Besar Musolli ka shënuar golin e parë në Kategorinë Superiore, në ndeshjen e tij të 201 me fanellën e Kukësit. Ai u shpreh për “Supersport” se ndihet i lumtur që shënoi në këtë ndeshje, duke treguar se më shumë rëndësi ka të sigurohet vendi i dytë.

“201 ndeshje? E kam thënë edhe më herët që është ndjesi e veçantë pasi janë shumë ndeshje dhe më vjen mirë që shënova golin e parë në Superiore në këtë ndeshje. Mora shumë kritika që hoqa bluzën, por e bëra sepse kisha shumë emocione. Gjatë festimit nuk kisha festim të veçantë, por ashtu ndodhi. Gjithçka erdhi spontanisht.

Gjërat po shkojnë  mirë dhe marrëdhëniet me klubin i kam shumë të mira e shpresoj të jem për Kukësin si Toti te Roma.

Aktivizimi i Dzarias më ka dhënë  më shumë hapësira dhe trajneri më thotë të dal në sulm pasi kërkohet një lojtar luftarak. Duke parë se si po ecën kampionati ndjejmë presion që po rrezikohemi dhe shpresoj të sigurojmë vendin e dytë”, u shpreh Musolli./Erjon Allaraj- vipsport.al/